Ngritja e Gjykatës Kushtetuese është shoqëruar me debate ditët e fundit. Tashmë gjykata ka 6 emra dhe kjo falë presionit ndërkombëtar, por nuk kanë munguar dhe kontestimet.
Sot KED do të mblidhet për vakancën fundit të presidentit, vakancë e cila ka sjellë reagime të ashpra nga ana e kandidates Zhaklina Peto. Gazeta ka siguruar procesverbalin e datës 21 dhjetor të mbledhjes së KED, ku u diskutua mbi kandidaturën e zonjës Peto.
Kjo e fundit u skualifikua nga gara fillimisht, por Gjykata Administrative e Apelit e riktheu në garë. Në mbledhje është folur mbi mosdorëzimin e dokumenteve nga ana e saj, pasi ka rezultuar me Covid-19. “Lidhur me vakancën e Presidentit të shpallur në datën 22.11.2019, e cila është në proces për shkak të shfuqizimit të vendimit të KED nga Gjykata Administrative e Apelit për kandidaten Zhaklina Peto.
Vë në dijeni Këshillin se edhe pse nuk është në rendin e ditës, ka vlerësuar të informojë se kandidatja Zhaklina Peto i është drejtuar Këshillit me kërkesë për të shtyrë të gjithë procedurën duke paraqitur si arsye se është e sëmurë me Covid-19 dhe mjeku i ka lëshuar raport mjekësor për 14 ditë, i cili përfundon në datën 1 janar të vitit tjetër.
Në vijim kandidatja ka paraqitur dhe një e-mail tjetër, me të cilin i ka bërë disa pyetje relatores, dhe kjo e fundit e ka informuar që të gjitha shqetësimet dhe pyetjet e ngritura do t`i paraqiten Këshillit”, ka thënë drejtuesja Vitore Tusha .
Qëndrimi i Presidencës
Lidhur me kandidaten në fjalë ka folur dhe përfaqësuesi i Presidencës, zoti Bledar Dervishi. Ai ka kërkuar nëse zonja ka paraqitur testin e Covid-19 dhe ka kërkuar shpjegime nga ana e anëtarëve. “Pyetjet që duhet të shtroj Këshilli për diskutim janë: A e pezullon afatin ligjor ky fakt apo jo? Dhe a ka mundësi kandidatja të mbrohet përmes përfaqësuesit të saj, siç është mbrojtur në të gjithë proceset gjyqësore?
Qëndrimi ynë si organ i emërtesës, siç kemi kërkuar edhe me shkrim, është që duhet të mbyllen brenda 31 dhjetorit. Ky është qëndrim i pandryshuar, të dyja vakancat, qoftë për njërën qoftë për tjetrën, në të dyja datat kur janë shqyrtuar kandidatët kemi kërkuar të futet Këshilli në vlerësim jo më kot, sepse nuk kemi kohë. Kanë ngelur tashmë edhe 10 ditë, as 10, 9, minus një ditë pushimi në datë 25, vetëm 9 ditë i ka ngelur Këshillit”, tha ai.
Pas tij ka folur relatorja Saida Dollani, e cila ka thënë se nuk duhet të pezullohet procesi për shkak të situatës së krijuar. “Kandidatja i ka të gjitha mundësitë, asaj i kërkohen shpjegime nuk i kërkohen më mbrojtje. Nuk bëhet fjalë për një procedurë të mbrojtjes, për më tepër që është hera e tretë që shikohet kandidatura.
Znj. Peto nëse e shikon të domosdoshme që ka nevojë për një përgjigje më të specializuar ka të gjithë të drejtat të zgjedhë një përfaqësues, ashtu siç e tha dhe përfaqësuesi i Presidentit, gjë që e ka bërë kur mbrohet para gjykatës. Znj. Peto i kërkon
shpjegime Këshillit gjë që e sheh shumë të rëndë, pasi KED nuk jep asnjë lloj përgjigje dhe nuk
mund t`i drejtohet asnjë lloj pyetje përveçse kandidati t`i përgjigjet, bazuar në ligj dhe aktet
normative. Nëse ka shpjegime për të dhënë ka të drejtën për t`i dhënë, nëse nuk ka mund të mos
i japë dhe Këshilli vepron”, tha ajo.
Letrat
Në mbledhjen e KED është bërë e ditur se ka pasur disa letërkëmbime mes Presidencës dhe KED. Falë presionit amerikan, Presidenti ka rënë dakord që procesi të vijojë dhe me më pak se 3 kandidatë, duke anashkaluar disi ligjin.
“Lidhur me shkresën e datës 16.12.2020 të Presidentit të Republikës, në të cilën shpreh vullnetin institucional që Këshilli të vijojë me shpejtësi procedurat për dy vakancat e shpallura prej tij. Anëtarëve u është vënë në dispozicion kopje e shkresës”, ka deklaruar Tusha.