Shqipëria dhe Kosova mësuan këtë të enjte rivalët me të cilët do të përballen në gjysmëfinalet e play-off-it të Kupës së Botës 2026. Gjithashtu, kuqezinjtë dhe “dardanët” mësuan edhe rivalët e mundshëm nëse do të kalojnë në finalet e play-off-it.
Në gjysmëfinale do të kemi duelet Poloni – Shqipëri dhe Sllovaki – Kosovë. Finalet e mundshme për ekipet shqiptare do të jenë Ukrainë – Suedi / Shqipëri dhe Kosovë / Turqi – Rumani.
Por, sa janë shanset e Shqipërisë dhe Kosovës për të shkuar në Kupën e Botës 2026?
Sipas kalkulimeve nga “We Global Football”, një faqe e specializuar në statistika futbolli, Shqipëria ka 10% shans për të shkuar në Kupën e Botës. Ndërkohë, Kosova ka 15.7%.
Italia është ekipi me shanset më të larta: 62.2%. Ndiqet nga Turqia me 52.2%, Danimarka me 48.6% dhe Ukraina me 42.6%. Pra, katër ekipet e vazos së parë në short janë më të avantazhuarat.
Në vazon e tretë, ku u vendosën Shqipëria dhe Kosova para shortit të së enjtes, “dardanët” kanë përqindjen më të lartë për kualifikim, të ndjekur nga kuqezinjtë.
Megjithatë, Kosova përfaqëson vetëm vendin e nëntë nga 16 ekipet pjesëmarrëse me shanset më të larta për të siguruar kualifikimin në Botëror verën e ardhshme. Shqipëria është një vend më pas.
Kujtojmë se ndeshjet gjysmëfinaliste të play-off-it do të zhvillohen më 26 mars 2025 dhe pesë ditë më vonë do të luhen finalet.
Shorti që do të përcaktojë grupet e Kupës së Botës 2026 do të hidhet në dhjetor në Uashington DC.






