Sulmuesi argjentinas i Cardiff Cityt, Emiliano Sala, i kishte kërkuar agjentit të tij t’i ndihmonte ta organizonte udhëtimin për në Britani të Madhe. Gjatë këtij udhëtimi, të hënën në mbrëmje, aeroplani me të cilin po udhëtonte Sala u zhduk dhe policia janë ende duke e kërkuar atë.
28-vjeçari ishte i shqetësuar se nuk do të arrinte të kthehej në Britani të Madhe në kohë, pasi vetëm sa ishte transferuar nga klubi francez Nantes te klubi i Premierligës, Cardiff City.
Sala kishte udhëtuar nga Britania në Francë për t’u përshëndetur me ish-bashkëlojtarët e tij dhe për t’i marrë me vete gjërat e tij. Mirëpo, ai shqetësohej se nuk do të arrinte të kthehej në kohë për seancën stërvitore me ekipin e tij të ri, e cila do të mbahej të martën në mëngjes.
Mark McKay, përfaqësues i Nantes, e organizoi këtë udhëtim bashkë me agjentit e Salas, Meissa N’Diaye. Dave Ibbotson është piloti i cili është ende i zhdukur dhe ai ishte njëri ndër katër pilotët që përdoren më së shumti për udhëtimet e futbollistëve në Francë.
Drejtori i Cardiffit, Mehmet Dalman, e konfirmoi të mërkurën se Sala e kishte refuzuar ofertën e klubit për t’ia siguruar një biletë udhëtimi në një aeroplan komercial. Argjentinasi e refuzoi këtë ofertë pasi që kjo mundësi nuk i linte atij aspak kohë për ta kaluar në Francë, ndërsa me aeroplan privat mund të nisej edhe në mbrëmje.
Policia e Francës dhe klubi Nantes e konfirmuan të martën se Sala ishte njëri ndër dy personat të cilët kishin udhëtuar me atë aeroplan mbrëmë. Aeroplani u zhduk pasi e humbi kontaktin me qendrën në Casquets.
Kërkimi për ta gjetur Salan dhe bashkudhëtarin e tij u ndalën të martën në mbrëmje, ndërsa policia i filloi kërkimet përsëri dje. Policia beson se Sala dhe piloti mund të kenë shpëtuar, duke u futur në një varkë shpëtimi.
Sala kishte udhëtuar me të njëjtin aeroplan edhe për udhëtimin e tij nga Cardiffi në Francë dhe sapo kishte zbritur, u kishte thënë miqve dhe ish-bashkëlojtarëve të tij se udhëtimi nuk kishte qenë i rehatshëm.
Kur e nisi udhëtimin për t’u kthyer te klubi i tij i ri, Sala i dërgoi mesazh miqve të tij duke i thënë se aeroplani ishte duke i bërë disa zhurma të çuditshme. Disa media angleze raportuan se aeroplani e kishte pasur të vështirë edhe të nisej dhe kishte provuar katër apo pesë deri sa më në fund ishte nisur.
Cardiff City e kishte zyrtarizuar transferimin e Salas nga Nandes për 17 milionë euro të shtunën dhe Sala ishte kthyer në Francë për t’u thënë lamtumirë ish-bashkëlojtarëve të tij para se ta fillonte pjesën e mbetur të sezonit me klubin e ri.