Kreu i qeverisë Edi Rama ka zbuluar mesazhin që i ka dërguar kreut të opozitës Lulzim Bashës pas tërmetit të 26 nëntorit.
Rama tregoi se në mesazhin privat i ka kërkuar të bashkëpunojnë për të normalizuar situatën dhe për të qetësuar qytetarët, por pretendon se nuk ka marrë përgjigje.
Kryeministri tha se pas kësaj i ka bërë edhe disa thirrje publike, ndërsa e thumboi Bashën , teksa tha se është përpjekur vetëm të mos dalë i tepërt.
“I kam shkruar një mesazh Lulzim Bashës, jo publike, por në telefonin e tij. Dhe i kam thënë se mendoj që bashkë të shkojmë aty ku është dhimbja, se në fund të fundit çfarë rëndësie kanë të gjitha të tjerat, njerëzit kanë humbur të afërm e kanë nevojë për ngushëllim dhe nga kush e presin? Nga ne. Kanë humbur shtëpitë, por nuk duhet të humbin sensin e përkatësisë në një vend ku nuk janë vetëm. Nuk kam marrë përgjigje.
I kam bërë edhe dy thirrje publike. Është e vërtetë, Lulzim Basha është përpjekur për të mos dalë i tepërt, por vetëm kaq. Mund të vinte jo për të bërë marrëveshje, por për të qenë përtej politikës. Por janë të tjerët që përpiqen të gjuajnë nga të katërta anët”, u shpreh Rama në emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova.