Rruga e Kavajës është një prej zonave më të njohura në Tiranë. Segmenti më i preferuar i saj është ai që kalon mes dy trotuarëve, ku nga njëra anë është xhamia, diku më poshtë, në të kundërt të saj, është kisha. Tiranasit e Rrugës së Kavajës mblidheshin te “Tymi” pas viteve ‘90, pak më poshtë ishte “Samsung” në kohë të PD-së, që në kohën e PS-së u kthye në “Apex”.
Në kohën që po jetojmë, në kohën e “SPAK”, zona do quhet “Te pallati i prokurorit”. Aty ku gjendet rrugica e Bogdanëve, është ndërtuar pothuajse buzë rruge një pallat 9-katësh, shumë elegant, ku apartamentet shiten me 3 mijë euro metri katror dhe dyqanet me 7 mijë euro.
Pallati është ndërtuar nga firma ndërtuese “Ald Edil”, e sipërmarrësit Astrit Kamberi. Leja e ndërtimit mban datën 06/05/2021 dhe është miratuar nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Por kjo ishte hera e dytë që leja u dha, pasi një herë ajo ishte refuzuar.
Sipas “vettingut” që i është bërë prokurorit Dado nga KPK, del kjo e dhënë: “Subjekti, së bashku me pronarët e tjerë të truallit, kanë lidhur kontratë sipërmarrjeje në datë 25.10.2016, me objekt ndërtimin e një godine shumëkatëshe banimi dhe shërbimi. Sipas kësaj kontrate, sipërfaqja ndërtimore që do të përfitojë dhe kalojë në pronësi të palës pronare do të jetë 43%… subjekti deklaron se kontrata e sipërmarrjes është revokuar me shoqërinë “R” më datë 12.10.2017.”
Në 2017, ndër emrat e pronarëve që lidhën kontratën që dështoi me firmën e ndërtimit “R”, emri i Ols Dados nuk figuronte. Duhet të vendosej më pas…
Pallati 9-katësh u ndërtua më pas në pronën e familjes me mbiemër Berisha në Shkodër, një degëzim martesor me fisin “Berisha” që rrjedh nga vitet 1920, përfshin edhe motrat Rozmari Nonaj (Dado) dhe Terezina Nonaj (Adhami), e para nëna e Ols Dados dhe tjetra tezja e tij.
Motrat Nonaj janë bijat e një nëne të martuar me Berishë, ndërkohë që pinjollë të këtij mbiemri, si vëllezërit Zef Berisha me Eduard Berisha, ato i kanë djem dajë. Të gjithë trashëgimtarët e familjes Berisha, ku përfshihet edhe Ana Shkreli, bashkëshortja e Stefan Berishës, janë kushërinj të Ols Dados.
Pallati 9-katësh në qendër të Tiranës është ndërtuar mbi truallin e familjes disidente shkodrane “Berisha”, të persekutuar në kohën e komunizmit. Shtëpia e vjetër, 124 metra katrorë, që u shemb për një pallat të ri, mbante peshën e viteve, emrat e dhjetëra trashëgimtarëve dhe një ndërtim shtesë pa leje. Të gjithë pronarët e shtëpisë, bashkë me Rozmari (Dado) Nonaj, njihen nga strukturat e Partisë Demokratike në Tiranë, Durrës dhe Shkodër si anëtarë të kësaj partie dhe aktivistë të flaktë që nga viti 1991.
Praktikisht, Ols Dado është rritur në një familje të thekur antikomuniste, me baba dhe nënë, me prindër të persekutuar. Persekutimi komunist i bëri të jetojnë në Shijak. Nga atje në Durrës dhe më pas në Tiranë.