Edi Rama ka deklaruar sot në Lezhë se opozita ka ndjekur gjithmonë politikat përça dhe sundo, ndërkohë që e majta është përpjekur të bëjë të kundërtën. Rama ka thënë se sa herë opozita shfaqet nëpër TV, sipas tij duhen larguar fëmijët.
Por ai bëri dhe autokritikë kur tha se edhe shumica shpesh herë ka rënë në nivelin e opozitës. “Ata përça dhe sundo, ne me sa kemi mundur, mblidh dhe bashko.
Ata fut njerëzit nëpër piramida, zhyt Shqipërinë nëpër borxhe, ne laj borxhet dhe rindërto ekonominë sa herë na ka ardhur radha për të vepruar pas tyre.
Ata bam e bum me zjarr, aq sa herë shfaqen në ekran duhen larguar fëmijët nga TV dhe për fat të keq ne nuk ia kemi dalë gjithmonë të mos biem në nivelin e tyre…
Nuk e thotë kot populli; po fjete me qenin, do zgjohesh me pleshta”, ka thënë ai.
Më tej Rama ka thumbuar dhe kreun e opozitës, duke thënë se “zemrekët e orës së tij i ka Sali Berisha”.
“Kujtoni Tiranën, i kishte ngelur ora. Edhe këtij i ka ngelur ora… Se zemrekët e orës i ka Saliu, nuk i ka ai, më falni që ia përmenda emrin këtij të fundit se s’du t’i përmend as emrin”, ka thënë ai.