Krimet zgjedhore të konsumuara para dhe gjatë zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit vijojnë të jenë kryefjalë e institucionit të akuzës.
Ka qenë Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, i cili gjatë një prononcim për mediat, u ndal tek krimet zgjedhore, duke thënë se ka inkurajuar të gjitha prokuroritë e rretheve gjyqësore në vend, që sipas tij, të hetojnë rastet në transparencë të plotë dhe rezultatet t’i transmetohen publikut.
“Në lidhje me hetimin e krimeve zgjedhore është kërkuar nga prokuroritë të ketë përgjigje të shpejta në drejtim të këtyre proceseve. E rëndësishme është që hetimet të shoqërohen në proces transparent, që publiku të jetë i qartë, e të ketë informacion të plotë në atë çka bërë prokuroria. Çështja e zgjedhjeve është çështje që prek shumë prokurori të rretheve gjyqësore e që kanë impakt në të gjithë vendin, ndaj rezultati i çdo hetimi, është i rëndësishëm.
Rëndësi ka që hetimet të jenë të plota, të kryhen në kohën e duhur e rezultatet t’i përcillen publikut. Ne u jemi drejtuar disa herë prokurorive të rretheve gjyqësore, i është ofruar mbështetja për të kryer hetimet e plota dhe profesionale që lidhen me zgjedhjet”, deklaroi ai.
Ndërkohë kryeprokurori foli edhe për punën e SPAK dhe vrasjen e 21 prillit në qytetin e Elbasanit ku Pjerin Xhuvani u vra gjatë një përplasje mes SMV-ve të Partisë Demokratike dhe një grupi pranë Partisë Socialiste. “Është e vështirë të trajtojmë sot të gjitha temat. Ka nevojë prokuroria mos humbi fokusin mbi asnjë çështje të rëndësishme. Prokurorët të bëjnë detyrat dhe të jenë pararojë të të gjitha zhvillimeve, proaktivë, aq më tepër ndaj krimit të organizuar.
Prokurorët të ruajnë, të jenë koherente dhe të kenë bashkëpunim me SPAK qoftë për krimin e organizuar, trafiqet. Blerja e votave është kompetencë e SPAK”, u shpreh ai. Nga ana tjetër, numri një i hetimit u pyet edhe për vrasjet e bujshme që kanë tronditur Shqipërinë.
“Ngjarjet kriminale duan kohë për përgjigje”, nënvizoi Çela.