Zv/kryeministri, Erion Braçe, komentoi ditën e djeshme letrën e Partisë Demokratike në drejtim të gjyqtarëve të Kolegjit Zgjedhor, ku i kërkonte mos shpërndarjen e mandateve të këshillave bashkiakë deri në ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.
Lidhur me këtë kërkesë të opozitës, Braçe u shpreh se mazhoranca e respekton dhe zbaton çdo vendim të Kushtetueses, duke shtuar se nëse kjo gjykatë i konsideron legjitime veprimet e Presidentit për 30 qershorin, atëherë merr fund çdo debat politik.
“Ne do të zbatojmë vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Deri më sot në Gjykatë Kushtetuese ka një ankesë nga shoqata e bashkive që drejtohet nga PD dhe ka në thelb 30 qershorin, ndërsa për 13 tetorin s’ka asgjë.
Në qoftë se veprimet e kryera nga Presidenti në raport me 30 qershorin do të konsiderohen kushtetuese atëherë ka marrë fund çdo gjë”, u shpreh Braçe. Duke iu referuar zgjedhjeve vendore të 30 qershorit, zv/kryeministri deklaroi se procesi zgjedhor u zhvillua pa asnjë incident, duke shtuar se ato janë njohur si legjitime nga SHBA dhe BE.
“Zgjedhjet e 30 qershorit janë mbajtur sipas kushtetutës në konsultim me partitë politike, zgjedhjet janë mbajtur të lira dhe të qeta. Normalisht, të kufizuara jo për shkakun tonë por të të tjerëve që nuk u paraqitën në ato zgjedhje.
Janë njohur nga BE dhe SHBA, nga shtete anëtare individualisht të BE-së. Normalisht do vijë dhe vlerësimi përfundimtar nga OSBE/ODHIR. Kështu zgjedhjet vendore janë kryer, tani jemi në procesin e mbylljes përfundimtare dhe bërjen funksional të pushtetit vendor”, u shpreh Erion Braçe.
Por sipas zv/kryeministrit Shqipëria do të jetë përball procesit zgjedhor vetëm në 2021, kur mbahen edhe zgjedhjet qendrore. “Sipas Kushtetutës, që nuk njeh presione politike, zgjedhjet do të jenë në vitin 2021.
Për sa kohë mazhoranca është funksionale në parlament, në qeveri, funksionale shpresoj shumë shpejt dhe në pushtetin vendor, zgjedhjet e radhës do jenë në 2021”, u shpreh Braçe. Me këtë, numri dy i qeverisë ka hedhur poshtë të gjitha pretendimet e Presidentit Ilir Meta, i cili është shprehur se në 13 tetor do të ketë tre palë zgjedhje; lokale, qendrore dhe presidenciale.