Agjencia gjermane e lajmeve “Deutsche Presse – Agentur” ka përjashtuar mundësinë që koalicioni i ri në Gjermani mes CDU/CSU dhe socialdemokratëve të njihet si “koalicioni i madh”, siç njihej në kohën e Angela Merkelit. Kjo për shkak se dy grupet s’janë më të mëdhatë në Bundestag, për shkak se Alternativa për Gjermaninë (AfD), tani është grupi i dytë më i madh përpara SPD-së, pas zgjedhjeve të së dielës.
“The Guardian” duke iu referuar një lajmi në agjencinë gjermane shkruan se tani dilema është për emrin e ri të koalicionit që do ta udhëheqë Gjermaninë. Duke u bazuar në ngjyrat e dy partive (kuq e zi), mediumi prestigjioz në një artikull të martën, ka thënë se si ide janë përmendur emri “koalicioni shqiptar” apo edhe ai “i Angolës”. Por disa kanë propozuar edhe një emër më të çuditshëm: “Koalicioni Coke Zero” – “Shije e vërtetë dhe zero kalori.
Me grupet parlamentare që takohen për herë të parë pas zgjedhjeve sot, ka nisur numërimi mbrapsht deri në Pashkë, kur kancelari i pritshëm Friedrich Merz ka deklaruar se dëshiron të ketë qeverinë e tij të kompletuar.