Komisioni që do të merret me zgjedhjet në Partinë Demokratike ka hapur dje garën për kryetar partie duke prezantuar kriteret që duhet të përmbushin të gjithë ata që kërkojnë të rivalizojnë Bashën.
Duke u bazuar në pikën 4 të nenit 10 të Statutit të PD, sipas komisionit zgjedhja apo caktimi në funksione brenda partisë bëhet bazuar në: kohëzgjatjen e anëtarësimit në parti apo shfaqjes si simpatizant i saj; kontributit në fushata elektorale; kontributit profesional e politik në parti, si dhe në promovimin e vlerave themelore që udhëheqin PDSH-në; aktivizimit në jetën politike e publike të vendit; mbrojtjes në vazhdimësi të interesave, vlerave dhe programit të PDSH-së; si dhe reputacionit në radhët e anëtarësisë dhe/ose shoqërisë në tërësi.
Sipas komisionit, çdo kandidat, që plotëson kriteret statutore të mësipërme ka të drejtë të paraqesë kërkesën për konkurrim pranë Sekretarisë së Komisionit, në selinë qendrore të Partisë Demokratike, duke plotësuar Formularin e miratuar me vendim të Komisionit.
Kërkesa për kandidim duhet të paraqitet deri në datën 22 Maj 2021. Formulari gjendet në faqen zyrtare në internet të Partisë Demokratike ose mund të tërhiqet pranë Sekretarisë së Komisionit. Lidhur me zgjedhjet në PD ka reaguar dhe kryetari i komisionit, Jemin Gjana. Ai deklaroi se do të garantohet një proces i drejtë dhe transparent. “Jemi të gjithë dakord që PD janë grupime elektorale për të korrur produktin ne fushatë.
Pjesëmarrja në fushatë s’mund të jetë një kriter përjashtues dhe as i përjashtuar. Ndryshe do thoshit nëse e ka marrë pjesë në fushatës është i përjashtuar nëse ska marrë është i përjashtuar. Nëse nuk ka marrë pjesë në fushatë automatikisht është i përjashtuar por nëse ka marrë pjesë ka një pikë të caktuar sepse organizata politike këtë ka.
Në setin e të gjithë kritereve ai duhet të ishte një kriter përfshirës ndryshe do të ishte gabim. Nuk kemi vënë kriteret përjashtues, por një set kriteresh përfshirëse secila do ketë peshën e vet në gjykim. Bëhet fjalë për anëtarë aktivë në fushatë. Sepse anëtarë të PD në regjistër mund të jenë dhe njerëz që janë emigrantë”, tha ai.