Lëvizja e Rezistencës Islamike Hamasi shpall zgjedhjen e komandantit Jahja Sinwar si kryetar i byrosë politike të lëvizjes, duke pasuar komandantin dëshmor Ismail Haniyeh.
Hamasi ka njoftuar zyrtarisht se Yahya Sinwar do të jetë shefi i ri i Byrosë Politike të grupit terrorist, figura më e lartë e tij, pas vrasjes së Ismail Haniyeh në Teheran javën e kaluar.
Që nga viti 2017, Sinwar ka shërbyer si udhëheqës i Hamasit brenda Rripit të Gazës, tani ai do të bëhet lider i krahut politik të saj.
Njoftimi vjen në një moment tensioni të shtuar në Lindjen e Mesme, pasi Irani dhe aleatët e tij kërcënojnë me hakmarrje për vrasjen e Haniyeh, për të cilën ata fajësojnë Izraelin.
“Lëvizja e Rezistencës Islamike Hamasi shpall zgjedhjen e komandantit Jahja Sinwar si kryetar i byrosë politike të lëvizjes, duke pasuar komandantin dëshmor Ismail Haniyeh, Allahu e mëshiroftë”, thuhet në një deklaratë të shkurtër të lëvizjes.
Lajmi për emërimin u përshëndet me një breshëri plumbash nga Gaza nga bandat e militantëve që ende luftojnë trupat izraelite në enklavën e rrethuar.
Sinwar, i cili kaloi gjysmën e jetës së tij të rritur në burgjet izraelite, ishte lideri më i fuqishëm i Hamasit i mbetur gjallë pas vrasjes së Haniyeh, i cili e ka lënë rajonin në prag të një konflikti më të gjerë rajonal pasi Irani u zotua për një hakmarrje të ashpër.
I lindur në një kamp refugjatësh në qytetin jugor të Gazës, Khan Younis, Sinwar, 61 vjeç, u zgjodh si udhëheqës i Hamasit në Gaza në vitin 2017 pasi fitoi një reputacion si një zbatues i pamëshirshëm dhe një armik i paepur i Izraelit.
Ai ishte më parë kreu i aparatit të sigurisë Al-Majd, i cili gjurmonte, vriste dhe ndëshkonte palestinezët e akuzuar për bashkëpunim me shërbimin sekret izraelit përpara se të burgosej.
Ai është cilësuar terrorist global nga Departamenti Amerikan i Shtetit që nga viti 2015 dhe së fundmi është sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar dhe Franca.
Sinwar, gjithashtu konsiderohet gjerësisht si arkitekti i pushtimit dhe masakrës së 7 tetorit në jug të Izraelit, në të cilën rreth 1200 njerëz u vranë dhe 251 u morën peng, duke ndezur luftën e vazhdueshme në Gaza.
Ai është fshehur në Gaza që nga masakra në Izrael. Ushtria izraelite në shkurt publikoi një video, të filmuar më 10 tetor, që thuhej se e tregonte atë duke ecur nëpër një tunel të Gazës me disa nga anëtarët e familjes së tij.
Sinwar është përshkruar si njeriu më i kërkuar i Izraelit në Gaza. Ushtria izraelite e ka etiketuar atë si “të vdekur që ecën”, duke e mbiquajtur në një profil si “Kasapi nga Khan Younis” për rolin e tij të dyshuar në planifikimin e sulmit të 7 tetorit./Pamfleti