Dimitar Kovaçevski, është zgjedhur kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë së Veriut. Në këtë post, ai do të zëvendësojë kryetarin e deritanishëm, Zoran Zaev, i cili dha dorëheqjen pas humbjes së LSDM-së në zgjedhjet lokale të 31 tetorit.
Kryetari i ri i LSDM-së, Kovaçevski, pritet të jetë edhe kryeministër i ardhshëm pasi, Zoran Zaev, dorëheqjen ka paraqitur edhe nga drejtimi i qeverisë, por ende nuk ka kaluar në Kuvend pasi organet drejtuese të LSDM-së, kërkuan shtyrjen e dorëheqjes deri në zgjedhjen e kryetarit të ri dhe sigurimin e shumicës në Kuvend.
“Qytetarët duhet ta rikthejnë besimin tek institucionet dhe e ardhmja e vendit dhe për këtë Qeveria duhet t’i përmbushë pritjet e tyre për efikasitet më të madh në qeverisje dhe përmbushje të premtimeve.
Çelësi për këtë është te vendosja e njerëzve të duhur në pozitat e duhura, si dhe krijimi i një sistemi në të cilin secili do të jetë përgjegjës për detyrat e veta. Duhet përqendrim më i madh në nevojat reale të qytetarëve, në ato probleme që rëndojnë mbi njerëzit. Nevojitet gjithashtu një qeverisje e përgjegjshme dhe një luftë e qartë kundër krimit dhe korrupsionit”, tha Kovaçevski.
LSDM-ja, që drejton qeverinë e Maqedonisë së Veriut humbi shumicën pas largimit të lëvizjes Besa nga qeveria. Pjesë e qeverisë tani do të jetë partia Alternativa, e cila në zgjedhjet lokale ishte në koalicion opozitar me Aleancën për Shqiptarët, por edhe nënshkruese e nismës për mocionin e mosbesimit të qeverisë, që ishte iniciuar nga VMRO DPMNE, më 11 nëntor.
Kovaçevski, tashmë kryetar i Lidhjes Social Demokrate të Maqedonisë së Veriut, ka mbajtur më herët postin e zëvendësministrit të Financave.