Ish-gjykatësi i turpëruar i EULEX-it në Kosovë zhduket pasi akuzoi BE-në për korrupsion.
Koalicioni për Mbrojtjen e Sinjalizuesve (Whistleblower) në Europën Juglindore shkruan për akuzat që Malcolm Simmons bëri muaj më parë ndaj Misionit të BE-së për Sundim të Ligjit në Kosovë, EULEX, dhe manovrën e tij të suksesshme për të manipuluar një gazetar të «Le Monde» të Parisit.
Nga Mark Worth
Kur Malcolm Simmons dha dorëheqje si gjykatës i lartë ndërkombëtar i Kosovës në nëntor, ai akuzoi zyrën lokale të BE-së në Prishtinë për korrupsion, ndërhyrje politike në rastet gjyqësore dhe se kanë sulmuar llogarinë e tij të postës elektronike. «Unë nuk dua të bëhem më pjesë e kësaj farse», i tha ai gazetarit të «Le Monde», Hugo Lemonier. Simmons, një ish-avokat në Britani të Madhe, nuk dha ndonjë hollësi për pretendimet e tij te gazeta franceze. Deri më sot, nuk dihet nëse i ka dhënë ndonjë hollësi dikujt për pretendimet e tij të pabazuara. Ish-kolegët thonë se ai është tërhequr në shtëpinë e tij në Maldive.
«Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Simmons-it për të ofruar të dhëna dhe prova, por deri më tani ai nuk ka pranuar ta bëjë këtë», tha Maja Kocijançiq, zëdhënëse e BE-së për Politikat e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë. Përpjekjet e përsëritura për të kontaktuar Simmons-in përmes telefonit, e-mailit dhe mediave sociale kanë qenë të pasuksesshme. Një numër telefoni që ai i ka dhënë BE-së nuk është i tij, por i përket një zyre të BE-së. Ai ka hequr profilin e tij në LinkedIn. Zhdukja e Simmons është kthesa e fundit në një histori ende në zhvillim që filloi në nëntor.
Siç u raportua për herë të parë nga Koalicioni i Europës Juglindore për «Whistleblower Protection», Simmons u avancua si kryetar i Gjyqtarëve në misionin e BE-së për sundimin e ligjit në Prishtinë në vitin 2014, i njohur si EULEX, pa pasur kredencialet e kërkuara për të shërbyer si gjykatës ndërkombëtar. Simmons gjithashtu punoi si gjykatës për krimet e luftës në Bosnjë-Hercegovinë, gjithashtu pa kualifikime të nevojshme. Rregullat e OKB-së kërkojnë që gjykatësit ndërkombëtarë të kenë së paku pesë vjet përvojë si gjykatës në vendin e tyre. Koalicioni zbuloi se Simmons nuk kishte punuar kurrë si gjyqtar apo avokat në Mbretërinë e Bashkuar dhe se certifikata e tij e avokatit ka skaduar në vitin 2000.
Ishte një sekret publik për shumë vite brenda EULEX-it dhe në Bosnjë që Simmons nuk ishte profesionalisht i kualifikuar për të qenë gjykatës ndërkombëtar. Megjithatë, ai mbajti poste të ndryshme gjyqësore që nga delegimi i tij nga Zyra për Punë të Jashtme Mbretërisë së Bashkuar dhe e Commonwealth-it (FCO) në vitin 2008. Përpjekjet zyrtare për ta hetuar sfondin e tij nuk filluan deri në vitin 2017. Duke mësuar nëpërmjet kanaleve sekondare që artikulli i Koalicionit në lidhje me historinë e tij do të publikohej së shpejti, Simmons u përpoq ta shmangë vëmendjen nga skandali i pashmangshëm. Disa orë para se të botohej artikulli i Koalicionit, ai kontaktoi një gazetar të ri në «Le Monde», i cili shkroi për pretendimet e tij për korrupsion pa ndonjë dëshmi mbështetëse. Hugo Lemonier, i cili ishte në gazetë për më pak se një muaj dhe sapo kishte mbaruar universitetin, nuk intervistoi askënd në EULEX apo ndonjë agjenci tjetër për të komentuar pretendimet e Simmons. Simmons papritmas dha dorëheqje, në vend që të përballet me pasojat nga artikulli i Koalicionit në lidhje me mungesën e kualifikimeve të tij.
Mashtrimi i mediave
Ajo që pasoi është një shembull klasik i kopjimit të gazetarisë elektronike. Artikulli i «Le Monde» u ribotua nga shumë media të mëdha, duke përfshirë «Associated Press», «Fox News», «Politico», dhe Projekti i Raportimit të Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. Asnjë prej këtyre mediave nuk bëri ndonjë përpjekje për t’i konfirmuar akuzat e Simmons, madje nuk përfshinin as informacione nga artikulli i Koalicionit. Marifeti i Simmons funksionoi. Pretendimet e tij për korrupsion, megjithëse të pabazuara, mbytën tregimin për mungesën e kualifikimeve të tij. Ai me sukses krijoi një tregim të rremë se largimi i tij ishte për shkak të korrupsionit në EULEX, në vend që të zbulonte sfondin e tij të diskutueshëm.
Zbulimet e mëvonshme gjithashtu nuk janë raportuar gjerësisht. Portali investigativ «Insajderi» me seli në Prishtinë mësoi se Simmons kishte aplikuar për punë në BE, që ai kishte marrë doktoraturën nga Universiteti Fairfax, një «mulli diplomash», i njohur për shitjen e diplomave të falsifikuara. Ky zbulim nuk është marrë nga mediat që raportuan historinë origjinale. Koalicioni ka siguruar aplikimin për punë dhe ka konfirmuar në mënyrë të pavarur origjinalitetin e saj. Ai gjithashtu ka mësuar se Simmons e identifikoi veten si «Dr» në dokumente zyrtare të gjykatës.
Humbja e betejave
BE po heton disa akuza kundër Simmons, si dhe ato të bëra prej tij. Kocijançiq, zëdhënëse e BE-së, tha se një hetues i jashtëm u emërua në vitin 2016 dhe një Bord Disiplinor i kryesuar nga ish-Gjyqtari i Gjykatës Evropiane të Drejtësisë, Kieran Bradley, u zgjodh më pas. Në fund të vitit 2017, Bradley nxori përfundime se Simmons nuk u ankua, duke i sugjeruar Bordit që të vendoset kundër Simmons. Kocijançiq nuk elaboroi akuzat dhe gjetjet disiplinore dhe nuk foli për pretendimet se Simmons kishte ofruar titullin e rremë «Dr» në aplikimin e tij të punës. «Kjo është një çështje që është e një natyre të ndjeshme», tha ajo, duke shtuar se dy nga katër hetimet janë në vazhdim.
Simmons gjithashtu zgjodhi një luftë të humbur kundër agjencisë që fillimisht e dërgoi atë në EULEX, FCO të Britanisë së Madhe. Ai paditi FCO në Tribunalin e Punësimit në Londër me shpresën për t’u shpallur punonjës i përhershëm dhe duke fituar mbrojtje nga shkarkimi ose zëvendësimi. Një panel prej tre gjyqtarësh vendosi njëzëri kundër Simmons më 10 dhjetor 2017. Avokati i Simmons, me seli në Londër, Simon Cheetham, ishte i paarritshëm për komente. Vendimi i Tribunalit konfirmoi konstatimin e Koalicionit se Simmons «nuk e ka praktikuar punën e avokatit në Mbretërinë e Bashkuar për rreth 16 vjet».
Nuk dihet nëse Britania e Madhe po heton Simmons-in për pretendimin e rremë se ka një doktoraturë apo çështje të tjera. Një burim i qeverisë i Mbretërisë së Bashkuar tha se nuk mund të tregojë informacionin personal për shkak të Aktit të Mbrojtjes së të Dhënave të Mbretërisë së Bashkuar. Ai tha se në përgjithësi, të gjithë punonjësit e dërguar nga FCO «i nënshtrohen kontrolleve të historisë së tyre» dhe se «dhënia me dashje e deklaratave të rreme është një çështje e sjelljes potencialisht serioze nëse vërtetohet».
Ligji si një «rekomandim miqësor»
Torsten Koschinka, gjykatës i Gjykatës së Qarkut në Görlitz, Gjermani, ishte gjykatës ndërkombëtar në EULEX menjëherë pas fillimit të misionit në vitin 2008 deri më 2011. Ai tha se ishte dëshmitar i problemeve sistematike që depërtonin në institucion. «Shumë njerëz thjesht nuk ishin të kualifikuar personalisht për të punuar atje, veçanërisht në nivelet më të larta», tha Koschinka, i cili shërbeu si gjykatës i apelit në Gjykatën Supreme të Kosovës. «Disa njerëz nuk i kuptonin kërkesat themelore të sundimit të ligjit. Ata nuk ishin të interesuar për sundimin e ligjit. Ata mendonin se ligji ishte vetëm një rekomandim miqësor». Përshtypjet e Koschinkas për masat e integritetit brenda EULEX-it mund të shpjegojnë pse Simmons u lejua t’i shmangej shqyrtimit për kaq vite dhe pse stafi aktual vazhdon të raportojë problemet.
«Kur ngre një shqetësim, ata përpiqen të të qetësojnë. Ata nuk janë të interesuar për identifikim nëse dikush ka bërë diçka të gabuar. Ata duan t’i mbajnë gjërat të qeta, për të fshehur gjërat nën qilim», tha ai. «Nëse ata marrin një vendim, ata shpesh e mbyllin çështjen pa arritur në fund. Vetëm kur media është e përfshirë, ata pretendojnë t’i kushtojnë vëmendje». «Ne shkuam atje për të promovuar sundimin e ligjit dhe për të sjellë sundimin e ligjit në Kosovë. Ne me të vërtetë donim të ndihmonim», tha Koschinka. «Ta përjetosh këtë lloj joprofesionalizmi, isha plotësisht i habitur».
Në lidhje me këtë rast Maja Kocijançiq, zëdhënëse e BE-së për Politikat e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, ka deklaruar: «BE dhe EULEX veprojnë me një politikë zero tolerancë ndaj pretendimeve për sjellje të papërshtatshme dhe të gjithë anëtarët e Misionit janë përgjegjës për veprimet e tyre. Të gjitha akuzat janë hetuar dhe, sipas rastit, janë referuar në një Bord Disiplinor. Në rastin e Simmons, ne kemi ndjekur Kodin e Mirësjelljes, kuadrin përkatës për këto çështje në letrën dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë.
Kur pohimet u ngritën fillimisht kundër tij në fund të vitit 2016, një hetues i jashtëm u emërua në funksion të pozitës së tij si gjykatës dhe vjetërsisë së tij në Mision, duke rritur edhe paanshmërinë dhe neutralitetin e hetimit. Me rekomandimin e Presidentit të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, një gjykatës në pension i GjEDNj, gjykatësi O’Coim, u caktua për të udhëhequr hetimin. Që nga akuzat e para, akuzat e mëtejshme janë bërë kundër Simmons. Simmons gjithashtu ngriti dyshime. Në total, ekzistojnë katër hetime të brendshme të trajtuara në nivel qendror, tri në bazë të akuzave kundër Simmons dhe një në bazë të pretendimeve të bëra prej tij.
Një Bord Disiplinor, i udhëhequr nga një ish-gjykatës i GJED-së, Kieran Bradley, shqyrtoi dhe dha këshilla për dy prej tyre në fund të vitit të kaluar. Për këtë këshillë u ra dakord dhe iu komunikua Simmons-it dhe autoritetit dërgues (Zyra për Punë të Jashtme Mbretërisë së Bashkuar dhe e Commonwealth-it). Simmons nuk e ka apeluar vendimin për t’u pajtuar me këshillat e Bordit Disiplinor. Dy hetime, një nga akuzat kundër Simmons dhe një mbi akuzat e bëra prej tij, janë në vazhdim. Ne vazhdojmë t’i bëjmë thirrje Simmons-it që të siguroj të dhëna dhe prova që ai i referohet në pretendimet e tij, por deri më tani ai nuk ka pranuar ta bëjë këtë».