E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, Leyla Moses-Ones, ka deklaruar ditën e djeshme se marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe SHBA-së janë të pamatshme dhe të pathyeshme. Leyla Moses-Ones ka përgëzuar vendin tonë për respektimin e zotimit të bërë në Samitin e Uellsit për arritjen në 2% të PBB në NATO. “Çdo ditë të vitit ka forca amerikane këtu për të forcuar lidhjet tona të forta.
Forcat shqiptare janë ndër më profesionalet. Forcat shqiptare kanë treguar se janë të përgatitura, të gatshme për të luftuar, në çdo kusht. Për më tepër Shqipëria ka respektuar zotimin e Samitit të Uellsit për arritjen në 2% të PBB. SHBA e përgëzon Shqipërinë dhe mbështet përpjekjet e saj të vazhdueshme deri në vitin 2024. Fuqia e marrëdhënieve tona është e pamatshme dhe e pathyeshme. Për stafin amerikan të atasheut, puna juaj me zell sjell rritje të angazhimit”, ka deklaruar Ones dje. Leyla Moses Ones ishte e pranishme në ceremoninë e organizuar nga Ministria e Mbrojtjes në vlerësim të përpjekjeve të Ekipeve të Atasheut Ushtarak dhe të Bashkëpunimit Ushtarak të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri, ku mbajti dhe fjalën falënderuese. “Për personelin shqiptar, ju jeni zemra e bashkëpunimit, asnjë nga këto nuk do të ishte e mundur. Pa punën tuaj të madhe asgjë nuk do të ishte e mundur”, tha ndër të tjera ajo. E pranishme gjatë ceremonisë ishte edhe ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, e cila mbajti fjalën e saj, ku theksoisepa mbështetjen e SHBA-së, Shqipëria nuk do të ishte sot kështu. “SHBA na është gjetur në momentet më të vështira të historisë, i kemi një borxh mirënjohje shumë të madh, që nga momentet e themelimit. Pa këtë mbështetje historia e Shqipërisë do të kishte ndjekur një trajektore tjetër.Falë mbështetjes së SHBA, Shqipëria po hyn në fazën jetike të zbatimit të reformës në drejtësi. SHBA ka pajisur forcat e armatosura shqiptare me armë moderne. Në termat e kontributeve për frymë, Shqipëria renditet e dyta pas SHBA-së. Baza ajrore në Kuçovë do të kishte qenë e pamundur pa mbështetjen e SHBA-së”, tha ministrja Xhaçka në fjalën e saj.