Rreth 16 vende të Bashkimit Europian marrin pjesë në samitin joformat të së dielës mbi emigracionin në Bruksel, që kryesohet nga Presidenti i Komisionit Europian Jean Claude Juncker.
Sipas medias ndërkombëtare, Italia ka thënë në samit se ata që nuk i mirëpresin refugjatët duhe të përballen me një reduktim të fondeve të Bashkimit Europian.
Por pak para samitit, Zëvendës Kryeministri italian është treguar i ashpër me presidentin francez Emanuel Macron, duke e cilësuar atë si “arrogant” përballë rradhëve të emigrantëve, shkruan Lexo.al.
Të shtunën, Zëvendës Kryeministri Matteo Salvini rikujtoi përmes një deklarate se në katër vitet e fundit Italia ka hasur 650,000 të ardhur nga deti, me 430,000 kërkesa për azil.
“Nëse për Presidentin arrogant Macron, ky nuk është problem, ne e ftojmë atë të ndalojë fyerjet dhe të tregojë në vend të kësaj një bujari konkrete duke hapur portet e shumta të Francës dhe të lejojë fëmijët, burrat dhe gratë të kalojnë përmes Ventimiglias”, tha Salvini duke iu referuar një qyteti italian në kufirin francez.
Deklaratave të tij i bëri jehonë edhe Luigi Di Maio, që po ashtu mban postin e Zëvendës Kryeministrit, i cili në faqen e tij në Facebook shkruante se “Italia me të vërtetë përballet me një emergjencë migrimi dhe kjo është pjesërisht për shkak se Franca vazhdon t’i zmbrapsë njerëzit në kufi”.
Kritikat e tyre erdhën pasi presidenti francez Emmanuel Macron pretendoi se “Evropa nuk po përjeton një krizë migrimi të njëjtë me atë që përjetoi në vitin 2015”.
“Një vend si Italia nuk ka aspak të njëjtin presion migrator si vitin e kaluar. […] Kriza që po përjetojmë sot në Evropë është një krizë politike,” shtoi Macron./Lexo.al