Ndërkombëtarët janë angazhuar shumë fort që reforma në drejtësi në vendin tonë të rezultojë e suksesshme, e për këtë arsye ata kanë krijuar një plan rezervë edhe për ngritjen e organeve të reja. Deri tani është parë një pengesë e vazhdueshme si nga politika, ashtu edhe nga drejtësia për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor, të cilat më pas do t’i hapnin rrugë edhe ngritjes së Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit. Por me qëllim që ky proces të mos zgjatet më shumë dhe SPAK të jetë gati sa më parë, SHBA-BE kanë vendosur që momentalisht të fokusohen tek ngritja e KLGJ.
Deri para pak kohësh për KLGJ mungonin kandidatët nga Gjykatat e Apelit të Rretheve, por pas thirrjeve të ndërkombëtarëve, një problem i tillë u zgjidh dhe shfaqën interes dy emra: Brikena Ukperaj, e cila e ka kaluar vetingun dhe Luan Dervishi, i cili nuk ka kaluar akoma në sitë. Ngërçi momental për konstituimin e KLGJ qëndron tek Luan Dervishi sepse duhet që më parë edhe ai t’i nënshtrohet procesit të vetingut e më pas mund të zhvillohet edhe Mbledhja e Përgjithshme e Gjyqtarëve.
Veting për kandidatin e KLGJ
Gazeta ka arritur të mësojë se Luan Dervishi do të futet në veting gjatë këtyre ditëve. Sipas burimeve, shorti për të është hedhur që në datën 16 maj dhe është përcaktuar trupa gjykuese që do të skanojë figurën, anën profesionale dhe pasurinë. Luan Dervishi bën pjesë tek lista prioritare e gjyqtarëve dhe prokurorëve që kalojnë në veting sepse para se të shprehte interes për KLGJ, ai ka kandiduar edhe për anëtar në Gjykatën Kushtetuese. Sapo ai të futet në veting dhe të jepet vendimi, atëherë hapet rruga për Mbledhjen e Përgjithshme të Gjyqtarëve, ku zgjidhen 6 emrat e mbetur të KLGJ, duke e ngritur një herë e mirë këtë organ.
Ngritja e KLGJ i hap rrugë ngritjes së Gjykatës së Posaçme Antikorrupsion. Në Kushtetutë është përcaktuar që SPAK ngrihet 2 muaj pasi është ngritur KLGJ. Në listën prioritare të shortuar nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit bëjnë pjesë edhe një sërë gjyqtarësh nga Krimet e Rënda. Midis tyre mund të përmendim: Albana Boksi, Dhimitër Lara, Dhurata Haveri, Gurali Brahimllari, Gjovalin Përnoca, Sokol Binaj, etj., të cilët janë të gjithë gjyqtarë në Gjykatën e Apelit për Krimet e Rënda. Të gjithë këta emra, nëse kalojnë me sukses sfidën e vetingut dhe nëse pranojnë që të jenë gjithë kohën nën monitorim e të heqin dorë nga privatësia, mund të jenë anëtarë të SPAK sipas ligjit. Një gjë e tillë e lehtëson akoma më shumë punën për ngritjen e këtij organi të rëndësishëm.
Plani i ndërkombëtarëve
Duket sikur në një kohë kur nga politika dhe drejtësia po shfaqen pengesa të shumta për konstituimin e organeve të reja të drejtësisë, SHBA-BE kanë plane rezervë që procesi të mos hyjë në ngërç. Plani është që fillimisht, për të mos humbur kohë, të ngrihet KLGJ, duke qenë se ky proces është drejt fundit e më pas nisin procedurat për ngritjen e SPAK. Por gjatë kohës që pritet ngritja e SPAK, mund të bëhen hapa përpara edhe për ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Prokurorët e Apelit të Tiranës deri tani janë bërë bashkë për të penguar ngritjen e këtij organi sepse mungon një kandidat. Por me thirrjet e vazhdueshme të ndërkombëtarëve dhe me rihapjen e garës nga Prokuroria e Përgjithshme pritet që ky problem të marrë zgjidhje gjatë kohës që pritet për ngritjen e SPAK. Sapo të sigurohet edhe kandidati i nevojshëm për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, zhvillohet Mbledhja e Përgjithshme e Prokurorëve dhe zgjidhen 6 anëtarët që mungojnë për të vijuar më pas me ngritjen e Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.
Mimoza Ibra