Nga Muhamed Veliu/Elton Qyno
Zylfije Haklaj, motra e 4 vëllezërve Haklaj ka rrëfyer në një intervistë ekskluzive për gazetën Shqiptarja.com vrasjen e Azem Hajdarit. Zylfija, një nga dëshmitaret më të rëndësishme të ngjarjeve të viteve 90 në Tropojë, tregoi dje në pjesën e parë të intervistës hasmërinë me fisin Hoxha dhe konfliktin me Berishën.
Kush e vrau Azem Hajdarin? Cili ishte roli i vëllezërve Ismet dhe Izet Haxhia në këtë vrasje? Ajo thotë se dy vëllezërit Haxhia s’kanë lidhje me vrasjen e Hajdarit. Shota e Haklajve tregon një episod nga e kaluara, letrën e ngushëllimit që Azem Hajdari i dërgoi familjes së saj, pasi siç thotë vetë Zylfija donte të “shfajësonte” veten nga përgjegjësia për vrasjen e Shkëlqim Haklajt, djalit të familjes Haklaj.
Zylfije Haklaj rrëfen këtë ngjarje sipas versionit të personazhit kryesor të kësaj ngjarjeje, Fatmir Haklajt, që vrau më 12 shtator 1998 deputetin e Partisë Demokratike.
Zylfie dhe Fatmir Haklaj
Intervista e plotë:
Babai juaj Muharremi, fill pas kësaj vrasje ka zhvilluar një takim me deputetin e asaj kohe të PD Azem Hadjari. Keni dijeni çfarë ka ndodhur dhe çfarë u diskutua në këtë takim?
Pas vrasjes së Shkëlqimit, ne si familje ngushëllohemi me një telegram nga Azem Hajdari, i cili pas disa muajsh e fton babain për një takim në Tiranë. Kështu që ata takohen në Tiranë më datën 2 shtator 1998. Azemi duke e ditur që ne jemi në dijeni se çfarë ka ndodhur me Shkëlqimin, ai kërkon të shfajësojë veten e tij duke u betuar se ai personalisht nuk kishte dorë në vrasjen e Shkëlqimit. Njëkohësisht ai i dorëzon babait edhe kasetën e mitingut të Berishës, në Bajram Curri, ku Shkëlqimi, kërkohej nga Berisha i gjallë ose i vdekur. Këtu vrasja e Shkëlqimit i faturohet Saliut, pikërisht nga bashkëpunëtori i tij, Azem Hajdari.
Njëri nga vëllezërit tuaj, Fatmiri, u akuzua disa vjet më pas se ai ka qenë personi që ka ekzekutuar ish-deputetin Azem Hajdari. Çfarë dini ju për këtë vrasje dhe a lidhet kjo vrasje me kasetën që ja dorëzoi Azem Hajdari, babait tuaj?
Më datën 12 shtator 1998, Fatmiri kishte shkuar në Tiranë siç ishte e lirë për të gjithë për të udhëtuar për Tiranë, por për çudi shumë diskutohet pse Fatmiri, ka shkuar në Tiranë. A mund të shtrohet pytja përse ata kanë shkuar në Tiranë, ku Tirana është e të gjithëve dhe oborri i PD, u përket edhe njerëzve që guxojnë të mendojnë ndryshe. Fatmiri nuk i ka shkuar Azemit tek banesa e tij dhe as në zyrën e tij, përse duhej të dilte deputeti së bashku me badigardët e tij në oborrin e PD, për të verifikuar kalimtarët ose njerëzit që ishin shfaqur në oborrin e PD. Pse nuk lind pytja përse Azemi i provokoi kalimtarët ose njerëzit e shfaqur në oborrin e PD duke shkuar drejt njerëzve me pistoletë në dorë dhe i shoqëruar edhe me dy bodigardë, të cilët ishin edhe të armatosur me armë automatike. Kur një njeri vjen drejt teje me pistoletë në dorë dhe i shoqëruar edhe me njerëz të tjerë të armatosur, nuk e di se si mund të veprojë njeriu në rrethana të tilla, veçse të vetëmbrohet, sepse vetëmbrojtja vjen shpesh herë edhe instinktivisht si diçka e lindur.
Besoni se Azem Hajdari dhe Sali Berisha, pas vrasjes së vëllait tuaj, Shkëlqimit, ndiheshin të kërcënuar, të pasigurt?
Në qoftëse Azemi ose Saliu kishin dorë në vrasjen e Shkëlqimit dhe tani ndiheshin të pa sigurtë me qëndrimin e Fatmirit në oborrin e PD pse nuk u lajmërua policia për të marr masa shtetërore, por del vetë deputeti i cili shqetëson kalimtarët dhe njëkohësisht i provokon ata. Fatmiri në pozicionin mes jetës dhe vdekjes ka qëlluar dhe nuk i ka dhënë kohë askujt tjetër për të vepruar. Fatmiri, na ka treguar se Jahoja dhe Naim Cangu kanë ndërhyrë duke u përpjekur të ndalojnë Fatmirin, por në këtë përpjekje Naimi ka mbetur i vrarë dhe Jahoja ka thyer gishtin në kacafytje me Fatmirin. Jahoja mund të tregojë edhe më mirë duke treguar edhe gishtin i cili deri vonë ka qënë i shtrembër. Fatmiri ju ka thënë Naimit dhe Jahos se kur një njeri të sulmon duhet ti kundërpërgjgjesh. Ne e dimë se vëllezërit Haxhiaj janë dënuar për këtë krim, por për ne është e çuditshme, se si mund të dënohen Ismet dhe Izet Haxhia për vrasje ose për bashkëpunim, kur ata nuk kan patur asnjë llojë lidhje me ngjarjen në fjalë. Fatmiri ka treguar se si ka ndodhur ngjarja dhe ka treguar edhe për rezistencën e Jahos dhe të Naimit, për të shmangur një gjakderdhje të mundshme. Saliu me padurim në pritje të kësaj dite, nuk heziton të fillojë djegien dhe shkatërrimin e Tiranës, ku synimet e tij, ishin dhe do të jenë vetëm pushtet dhe para mbi çdo çmim. Ky është Sali Berisha me bamat e tij dhe paftyrësinë e tij, i cili futet edhe në punët e brendshme familjare ku çfarë nuk i nxjerr goja e çfarë nuk i pjell truri. Më 4 gusht 1999 vritet Halil Haklaj dhe Feriz Kërrnaja me mina të telekomanduara, ku për herë të parë ishin përdorur kundër Fatmirit më 6 maj të vitit 1999, ku vritet Eduart Haklaj dhe unë mendojë se ato mina kishin ardhur nga Serbia, sepse tashmë, dihej botërisht se nafta shqiptare furnizonte makinerinë serbe në kohën e luftës së Kosovës.
Sali Berisha dhe Azem Hajdari
Zonja Zylfie, si e kujtoni vrasjen e vëllait tuaj Fatmir Haklaj në 1999, i cili u vra vetëm pak ditë pasi kishte shkruar një artikull në gazetën “Koha Jonë”, ku akuzonte Berishën si shkaktarin e kësaj kasaphane?
Fatmir Haklaj, shkruan një artikull tek gazeta “Koha Jone” nga fundi i tetorit 1999, ku çdo gjë ja dedikon Berishës dhe klikës së tij. Berisha i përgjigjet, shkrimit duke thënë se: “Krimi nxjerr dhëmbët, dhe se edhe i plagosur arrin të na kërcënojë, të marrim masa sa nuk është vonë”. Vetëm pak ditë më vonë, më datën 4 nëntor 1999 vritet Fatmir Haklaj dhe bashkë me të edhe Sami Kërrnaja dhe plagoset Jaho Mulosmani. Masakrat e tij ndaj familjes tonë nuk kanë fund, ku në nëntorin e vitit 2000 PD organizonte protesta të armatosura në drejtim të Komisariatit të Tropojës, ku synohet thyerja e komisariatit dhe lirimi i të burgosurve të të gjitha kategorive. Gjatë këtij sulmi mbeti i vrarë një protestues, por Saliu nuk nguron si gjithmonë të akuzojë Haklajt. Dhe kështu me datën 3 dhjetor pak ditë pas kësaj ngjarjeje vritet vëllai ynë Ylli Haklaj në oborrin e shtëpisë së tij. Unë mendoj se Saliu ka bërë dhe bënë kështu jo vetëm ndaj nesh, por ndaj të gjithë kundërshtarëve të tij politik dhe privat. Vrasja e Remzi Hoxhës është një vrasje e pastër politike dhe antikombëtare i cili kishte regjistruar takimin e Salihut me Sllobodanin, por edhe firmat piramidale ishin pjellë e mendjes së tij per të boshatisur edhe xhepat e shqyer të shqiptarëve. Unë nuk mund ta harroj dot as Gërdecin, ku vdesin dhe plagosen shumë njerëz të pafajshëm, e unë nuk mund të harroj as 21 janarin e vitit 2011.
Vëllezrit Haklaj
Dhe një pyetje të fundit për ta përmbyllur këtë bashkëbisedim. Çfarë roli ka pasur familja Haklaj në luftën e Kosovës dhe a ka marë pjesë me anëtarë të saj në formacionet luftarake të UÇK?
Familja jone ka kontribuar për çështjen shqiptare të Kosovës që me lëvizjet e para për organizimin e rezistencës mbarë popullore, para viteve 90, ku vëllai ynë Halili ka qënë i dënuar me 8 vite në mungesë nga shteti serb, për lidhjet e tij me grupin e Rezistencës në të cilin bënte pjesë edhe Mentor Kaci(Gjakovë), kurse Fatmiri ka patur lidhje direkte me përsonalitete të larta të UÇK, siç ishte Ilir Konushevci dhe shumë të tjerë, të cilët i ka njohur nga afër dhe ndihmuar me të gjitha mundësitë e mundshme. Ne kemi patur në familje një numër të konsideruar qytetarësh të Kosovës për një kohë relativisht të gjatë, kurse të gjithë pjestarët e tjerë të familjes tonë kanë kontribuar kush më shumë dhe kush më pak për çështjen shqiptare në Kosovë. Përçarja e Saliut, bëri që të pengojë marrjen pjesë direkt nga ne në UÇK. Shkatërrimi i Shqipërisë dhe shpërdorimi i municionit luftarak në prag të luftës së Kosovës dhe nxitja e vëllavrasjes në Shqipëri në vitet 1997 – 1999 është dhe do të mbetet një tradhëti kombëtare dhe një shitje e çështjes kombëtare për interesa private të caktuara. Veprimet e Millosheviçit kundër popullit shqiptar në trojet e veta ndihmohen dhe përkrahen edhe nga veprimet e Salihut në Shqipëri duke krijuar gjakderdhje të panevojshme në tokën mëmë dhe duke i ushqyer makinerit serbe me naftën e tokës shqiptare. E pikërisht nga transportuesit e naftës për në Serbi, vritet heroikisht Ilir Konushevci së bashku me mjekun Hazir Mala.
Zylfie Haklaj,Fatmir Haklaj dhe familjarët
Mbetem me shpresë që drejtësia shqiptare do të luajë rolin e saj, duke vënë në bankën e të akuzuarve Saliun për të dhënë llogari për të gjitha çfarë ai ka bërë në Shqipëri, meqënëse ka prova, dëshmi e fakte të mjaftueshme që ai të përballet me njerëz të tregojnë me fakte e prova për shpifjet, trillimet, shkatërrimet dhe krimet e tradhëtinë kombëtare që ai ka bërë dhe po bënë në Shqipëri./Shqiptarja.com