Ish-Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i ftuar këtë të martë në studion e emisionit “Quo Vadis” në Vizion Plus, ka rrëfyer për herë të parë se si është bërë emërimi i Ols Dados prokuror në vitin 2008. Sipas Topit, propozimi ka ardhur nga Kryeprokurorja e asaj kohe, Ina Rama, dhe institucioni i Presidentit ka pasur vetëm tagrin për ta dekretuar formalisht.
Ai tha se gjithçka që i takonte procedurës ezaurohej brenda Prokurorisë, e cila administronte të gjitha dokumentet kur hapej gara dhe te Presidenti vinte vetëm propozimi formal për dekretim.
“Njerëzit duhet ta kuptojnë: Tek Presidenti nuk vijnë gjëra të karakterit analitik. Dekreti është në përputhje me parimet kushtetuese. Cilat janë parimet kushtetuese? Që në këtë marrëdhënie midis dy institucioneve, të drejtën e propozimit e ka Kryeprokurori, i cili vjen vetëm me një propozim formal dhe Presidenti e dekreton.
Këtu mbyllet rruga institucionale. Me sa unë kam në memorie, jo thjesht si procedurë specifike, por sipas ligjit dhe Kushtetutës, ka pasur një tagër, ndoshta minimal, por e ka pasur edhe Presidenti, edhe Kryeprokurori, në rastin konkret Kryeprokurorja, e cila sipas analizës së rrethanave, unë nuk e kam shfrytëzuar personalisht, ka pasur një minimum të drejte për të futur në sistem edhe ndonjë person, burrë apo grua, ç’rëndësi ka, e cila e tejkalonte këtë pjesën e Shkollës së Magjistraturës”, ka thënë ish-Presidenti Topi.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka depozituar prej disa ditësh një kërkesëpadi pranë Gjykatës Administrative, në të cilën kërkon pavlefshmërinë e emërimit të Ols Dados prokuror, pikërisht pse ai është emëruar (siç e dëshmoi sot Presidenti Topi, me propozim direkt nga Kryeprokurorja Ina Rama) në detyrë pa pasur Shkollën e Magjistraturës.





