1 vit e gjysmë pas paraburgosjes së tij, ish-presidenti i Republikës, ish-kryeministër dhe ish-kryetar i Kuvendit, sot 57-vjeçar, u shfaq për pak minuta, me zë e figurë, në seancën e parë të gjyqit në themel, kundër tij, ish-bashkëshortes Monika Kryemadhi dhe 3 të pandehurve të tjerë.
Transformimi i tij fizik, i dukshëm. Para se seanca të çelej, nga kafazi i qelqtë, bëri me duar shqiponjën dy krenare.
Pretendoi pafajësi, në një proces që sipas kreut të Partisë së Lirisë është i montuar politikisht.
“Jam ai Ilir Meta i 2 marsit. I ka përzgjedhur Charles McGonigal që është në burg dhe nuk do mbetet i vetëm atje. Montime me shpifje, gënjeshtra, me kallëzues të rremë, një proces të dhunshëm kundër shtetit shqiptar, jo kundër Metës, presidentit, kryetarit të Kuvendit dhe kryeministrit.
Ju garantoj, mbaj përgjegjësi për çdo veprim timin, për çdo sjellje time, për çdo akt timin”, – tha Meta.
Për të bërë mbrojtjen e tij para qytetarëve, të cilëve thotë se u detyrohet për funksionet e larta shtetërore që ka mbajtur, ashtu siç ia kërkoi me shkrim Gjykatës së Posaçme, edhe pas kafazit të të pandehurit përsëriti:
“Nga sot deri në sekondën e fundit të ndiqni dhe të transmetoni live këtë proces”, – tha Meta.
Këto ishin të vetmet momente në të cilat kreu i Partisë së Lirisë foli para kamerave të televizioneve, teksa gjyqtarja Etleva Deda ende nuk e kishte çelur zyrtarisht seancën.
Gjyqtarja vendosi t’i lërë kamerat vetëm në fillim, në diskutimet teknike të procesit, ku legjitimohen palët. Më tej, me vendimin e gjyqtares, operatorët u nxorën jashtë.
Meta i përshëndeti nga kafazi punonjësit e medias teksa lënë sallën. Ndërsa ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi bën një gjest me dy gishtat e demokracisë.
Mes të dyve, një ftohtësi e akullt që nuk u thye as edhe me një shikim në sy.





