“Është fati juaj i keq që po shkruani emrat në një listë që do të mbetet në historinë e Shqipërisë si lista e atyre që votuan shkatërrimin e Partisë Demokratike…”.
Kështu paralajmëronte Gramoz Pashko verën e vitit 1992, në momentin kur Sali Berisha po e përjashtonte nga partia që e kishin themeluar bashkë. Nuk ishte thjesht një konflikt personal. Ishte akti i parë i një kulture politike që do të shndërrohej në model: ndëshkimi i mendimit ndryshe si mekanizëm kontrolli. Dhe, në thelb, fillesa e një procesi të gjatë vetëshkatërrimi të PD-së.
Në atë konferencë nuk u largua vetëm Pashko. Lista ishte e gjatë: Arben Imami, Neritan Ceka, Arben Demeti, Teodor Keko, Edmond Trako, Ritvan Peshkëpia, Perikli Teta, Preç Zogaj, Shahin Kadare… themelues, ideatorë, njerëz që kishin ndërtuar identitetin e parë të një partie antikomuniste. Përjashtimi i tyre nuk ishte thjesht spastrimi i kundërshtarëve të brendshëm, ishte momenti kur Partia Demokratike vendosi të heqë dorë nga pluralizmi brenda vetes. Dhe një parti që heq dorë nga demokracia e brendshme, është e destinuar të vetëshkatërrohet.
Historia nuk u ndal aty. Deri në vitin 2000, thuajse të gjithë themeluesit u përjashtuan: Dashamir Shehi, Genc Ruli, Rexhep Uka, Gen Pollo e të tjerë. Çdo largim ishte një copë identiteti që shkëputej. Çdo përjashtim ishte një hap më tej drejt shkatërrimit sepse një forcë politike që përjashton në vend që t’i përfshijë, e zvogëlon vetveten deri në boshatisje.
Rrethanat politike, sidomos përçarja e së majtës, i dhanë PD-së një mundësi të dytë dhe Berisha e shfrytëzoi duke rikthyer shumë prej të përjashtuarve. Fitorja e vitit 2005 dukej si një rivendosje. Por në fakt ishte vetëm një pauzë. Sepse modeli nuk kishte ndryshuar. Pas tetë vitesh në pushtet, cikli rifilloi. Këtë herë nën drejtimin e Lulzim Bashës, i cili trashëgoi karrigen, por jo autoritetin e kryetarit të Partisë. Përjashtimet vazhduan, ndonëse me një formë më të butë në dukje, por me të njëjtin thelb: eliminimin e çdo zëri alternativ. Dhe më pas, rikthimi i Berishës me “rithemelimin” me premtimin për të rikthyer demokracinë dhe garën brenda partisë, në të vërtetë solli vetëm përshkallëzim. Vala e përjashtimeve u bë më e gjerë, më e shpejtë, më e pakontrolluar. Një opozitë që hyn në vitin e 14-të në opozitë me një seri humbjesh, zgjedh sërish të përparojë drejt vetëshkatërrimit.
Deri pak muaj më pare: hero, i dënuar politik, simbol i qëndresës, Ervin Salianji u riklasifikua si tradhtar dhe i vetëpërjashtuar, pikërisht në momentin kur vendosi të shfaqet si kritik i liderit. Pra, jo kur ndryshoi ai, por kur ndryshoi raporti i tij me pushtetin brenda partisë. Reagimi dhe mbështetja që krijoi në bazë përmes foltoreve në disa rrethe të vendit u lexuan jo si energji politike, por si kërcënim. Nevoja e lidershipit për të mos toleruar asnjë energji paralele e çoi edhe këtë rast në të njëjtën skemë: largimin e Salianjit, të paketuar me termin “vetëpërjashtim”. Një lojë fjalësh që përpiqet të zbusë një realitet të vjetër: përjashtimin si instrument kontrolli. Madje, procesi nuk ndalet te individi. Mbështetës të Salianjit kanë hyrë në garë për kryetarë të degëve në rrethe dhe janë përjashtuar me argumente nga më banalët, deri te më problematikët, si përdorimi si arsye përjashtimi i balancës fetare. Një parti apo një lidership që përdor çdo lloj arsyeje për të mbyllur garën.
Në një situatë normale, një opozitë funksionale do të kapitalizonte secilin prej qindra skandaleve të korrupsionit të qeverisë Rama. Shifra alarmante të korrupsionit në çdo sektor dhe skandalet nuk ndalen, ndërsa opozita veçse i forcon pushtetin mazhorancës.
Foltoret e Berishës janë kthyer në rutinë që shpesh rrëshqet në qesharake, ndërsa protestat kombëtare bëhen gjithnjë e më të vogla, më të zbehta dhe më pak bindëse. Retorika mbetet e njëjtë dhe besimi e shpresa mungojnë. “Kilometri i fundit” është zgjatur në pafundësi, ndërsa rruga drejt pushtetit duket më e largët se kurrë. Dhe ndërsa kjo distancë rritet, lidershipi vazhdon me të njëjtin refleks: përjashto, spastro, mbyll.
Problemi nuk është kush largohet, por çfarë mbetet. Jo se në PD mungojnë figura që mund të ndërtojnë një alternativë ndryshe, por sepse mungon guximi për të folur nga frika e përjashtimit apo “vetëpërjashtimit”. Çfarë ka mbetur sot tek Partia Demokratike është një strukturë gjithnjë e më e ngushtë, më pak përfaqësuese e më pak konkurruese. Një parti ku humbja e zgjehdjeve është normalitet edhe kur ndodh për herë të shtatë, një parti që nuk po humbet vetëm zgjedhje, por po humbet arsyen e ekzistencës së saj. Kjo nuk është më thjesht një krizë politike, është një proces i vazhdueshëm vetëposhtërimi.
TemA sjell përmes videos disa prej momenteve pikante të valës së parë e deri tek vala e fundit e përjashtimeve në Partinë Demokratike.





