Kryebashkiaku i Lezhës, Pjerin Ndreu, ka reaguar në lidhje me dhunimin barbar të ish-kreut të PD-së Lezhë, Sokol Toma, i cili u godit nga disa persona të paidentifikuara, të cilët i thyen këmbët dhe i prenë veshin.
Në një postim në Facebook, Ndreu shkruan se aktet e dhunës, janë sinjale negative që dëmtojnë dhe ndotin shoqërinë tonë.
Po ashtu, kryebashkiaku i ka bërë thirrje policisë që të bëjë maksimumin për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë sa më parë.
“Lezha nuk mund dhe nuk do të pajtohet kurrë me dhunën, frikën dhe aktet kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë”, thekson ai.
Aktet e shëmtuara të dhunës janë sinjale negative që dëmtojnë dhe ndotin shoqërinë tonë. Dënoj me forcë ngjarjen e rëndë të ndodhur ndaj një anëtari të komunitetit lezhjan.
Kushdo që e ka menduar, organizuar apo kryer këtë akt duhet ta dijë se ligji, herët a vonë, të gjen dhe të vendos përpara përgjegjësisë. Edhe më të papranueshme janë banalitetet mediatike dhe spekulimet për “prerje veshi”, të cilat vetëm sa shtojnë ankthin dhe disinformojnë opinionin publik.
I kam kërkuar drejtuesve vendorë të policisë të bëjnë maksimumin për identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre para drejtësisë sa më parë.
Lezha nuk mund dhe nuk do të pajtohet kurrë me dhunën, frikën dhe aktet kriminale që cenojnë sigurinë e qytetarëve tanë. Kushdo që perdor gjuhë të dhunshme, duhet të ndalë dhe të reflektojë pasi komunitetit lezhjan nuk ka asnjë lidhje me sjellje banale presioni dhe dhunë që herë pas here shfaqen!





