Dita e 9 Majit i atribuohet formimit të Bashkimit Evropian nga 6 shtetet e para themeluese, Italia, Gjermania, Belgjika, Holanda, Luksemburgu dhe Franca. Formimi i BE ishte vizioni i ministrit të Jashtëm francez të kohës Robert Schuman.
Presidenti i Këshillit të Europës Antonio Costa i është drejtuar Shqipërisë me një mesazh. Kosta thotë se e ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian, referuar dhe përparimit të konsiderueshëm në negociata.
“Ne besojmë se e ardhmja juaj është në Bashkimin Evropian. Po bëhet shumë punë e vështirë për ta bërë këtë të ndodhë. Shqipëria ka bërë një përparim të konsiderueshëm në negociata gjatë vitit të kaluar. Ju inkurajoj të vazhdoni me vrullin e reformave. Së bashku, do të ndërtojmë një të ardhme të përbashkët evropiane. Rroftë Evropa”, tha ndër të tjera Costa.
Eksponentë të politikës në Shqipëri, kanë përcjellë mesazhe urimi për Shqipërinë, si një vend aspirat për integrimin në familjen e madhe evropiane. Presidenti i Republikës Bajram Begaj ka publikuar një mesazh në Ditën e Evropës për të nderuar të gjithë ata që ndërtuan familjen e bashkuar evropiane. Begaj shkruan se sot Shqipëria është më afër se kurrë integrimit.
“Sot ne festojmë Ditën e Evropës dhe nderojmë të gjithë ata që ndërtuan dhe bënë realitet projektin e Bashkimit Evropian, i cili ka në zemër paqen, sigurinë, demokracinë, begatinë, solidaritetin dhe lirinë. Shqipëria është sot më afër se kurrë për të qenë pjesë e familjes evropiane, e gatshme për t’i shtuar projektit evropian energjinë dhe vlerat e saj!”, shkruan Begaj.
Kryeministri Edi Rama shkruan se Shqipëria është sot më afër integrimit se kurrë më parë.
“MIRËMËNGJES dhe në këtë Ditë të Europës, ku Shqipëria është më afër se kurrë familjes europiane, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan Rama në postimin e tij.
Ndërsa opozita shfrytëzoi Ditën e Europës për të shprehur pakënaqësitë ndaj qeverisë mbi procesin e integrimit. Deputetja demokrate, Jorida Tabaku shkruan se integrimi nuk duhet të kthehet në slogan politik por në transformim real për të qenë anëtare e denjë e BE-së
‘Edhe për ne shqiptarët, pas më shumë se tre dekadash, Europa nuk është më një ëndërr naive. Është nevojë. Është shtet ligjor. Është drejtësi. Është meritokraci. Është mundësia për të ndërtuar një Shqipëri më të drejtë, më të ndershme dhe më europiane.’ shkruan ajo.
Ndërsa deputetja e PL Erisa Xhixho thotë se vendi ynë vijon të mbetet larg standardeve europiane. Mungesa e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, korrupsioni, krimi i organizuar, kapja e institucioneve, largimi masiv i të rinjve dhe varfëria janë pengesat reale, sipas saj, që po mbajnë Shqipërinë larg Europës së vlerave.





