Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar nga një publikim në media, bazuar nga informacionet e gazetarit Elton Qyno, ku pretendohet se drejtori Adriatik Kupi ka firmosur ndryshimet e kushteve të sigurisë sa i përket të dënuarit Ramazan Rraja.
Në reagimin publik të institucionit, theksohet se këto ndryshime s’janë përgjegjësi e titullarit aq më pak institucionit, por e gjykatës së juridiksionit, bazuar në vlerësimin e rrezikshmërisë që kryhet nga Komisioni i IEVP dhe konfirmohet nga Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë në DPB.
Statusi i DPB për rastin në fjalë:
Në vijim të publikimeve të fundit në media, me qëllim informimin e opinionit publik dhe transparencës;
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve përgënjeshtron lajmin e publikuar nga gazetari Elton Qyno, sipas të cilit pretendohet se me firmë të Drejtorit të Përgjithshëm z. Adriatik Kupi është urdhëruar ndryshimi i sigurisë për të dënuarin R.Rr.
Ky pretendim është i pavërtetë, sepse ndryshimi i sigurisë së lartë në bazë të Ligjit Nr.81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”, neni 16, vendoset nga Gjykata Penale e juridiksionit, bazuar në vlerësimin e rrezikshmërisë që kryhet nga Komisioni i IEVP dhe konfirmohet nga Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë në DPB. Procesi gjyqësor po vijon aktualisht dhe i dënuari është njoftuar se më datë 06.05.2026 është data e seancës së radhës.
Konkretisht,
– Gjykata Penale e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, me shkresë nr.542, datë 19.03.2026 i është drejtuar Komisionit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë në Drejtori të Përgjithshme të Burgjeve, me kërkesë për raport të vlerësimit të rrezikshmërisë së një të dënuari, ku urdhërohet dërgimi i këtij raporti me datë 15.04.2026, ora 12:00
– Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë së IEVP Fushë Krujë ka dërguar raportin në DPB për kompetencë të Komisionit të Vlerësimit të Rrezikshmërisë me shkresë nr.2735/1, datë 10.04.2026.
– Komisioni i Vlerësimit të Rrezikshmërisë me vendim nr 683, datë 16.04.2026 ka lënë në fuqi raportin e vlerësimit të IEVP.
– Sqarojmë se kjo është një praktikë standarde dhe 28 të dënuar kanë ndryshuar sigurinë gjatë vitit 2025 deri tani.
– Deri në këtë moment nuk ka asnjë vendim gjykate të administruar në protokoll të DPB për ndryshimin e sigurisë të të dënuarit R.Rr dhe ky i dënuar aktualisht është në regjimin e sigurisë së lartë. DPB nuk ka dijeni se çfarë vendimi ka marrë gjykata.
Lidhur me shtetasin L.B, ju sqarojmë se është bërë dalje nga spitali me datë 03.04.2026, (një ditë pasi është marrë detyra nga ana e Drejtorit të Përgjithshëm) dhe është vendosur në ambientet e IEVP Durrës.
Lëvizja e të burgosurit P.D dhe D.B është bërë në bazë të raporteve të vlerësimit të riskshmërisë sipas parashikimit në aktet ligjore dhe nënligjore. Ky proces është i përhershëm, standard dhe i bazuar në aktet ligjore.
DPB mbetet e angazhuar për zbatimin rigoroz të ligjit dhe garantimin e standardeve të sigurisë dhe të drejtave të njeriut në burgje.


