Avokati Klodi Reçi dhe Pedagogia Arsejda Gjyli komentuan në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Ermal Qori në Report Tv, vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë, e cila rrëzoi kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për zëvendësimin e masës së sigurisë ‘arrest me burg’ me një masë më të lehtë sigurie.
Për avokatin Klodi Reçi, ishte e çuditshme shpejtësia me të cilën Gjykata e Lartë ka marrë këtë vendim, pasi vetëm 3 ditë më parë Kushtetuesja vendosi të rikthejë në Gjykatën e Lartë kërkesën për liri të Veliajt.
Reçi shprehu zhgënjim me vendimin e Gjykatës së Lartë, pasi sipas tij, ky vendim del kundër 2 vendimeve të mëparshme të Gjykatës Kushtetuese, atij që e riktheu çështjen në Gjykatën e Lartë dhe vendimit që njihte Veliajn si kryetar dejure të Bashkisë Tiranë.
LEXO EDHE:
Rishikimi arrestit me burg, 82% e shqiptarëve dakord me Gjykatën e Lartë! Vrojtimi, vlerësohet SPAK, por më shumë luftë korrupsionit
“E çuditshme është shpejtësia me të cilën Gjykata e Lartë ka marrë këtë vendim. Nuk kanë kaluar as 2 ditë të plota nga vendimi i Kushtetueses, ku Gjykata cakton një seancë tjetër dhe në rrethana krejt të paqarta dhe të papranueshme nga komuniteti i juristëve, të kemi prapë një vendim në disfavor të një kërkese të pranuar në Kushtetuese. Kjo do të thotë se në praktikën gjyqësore njihet parimi i gjithëpranuar, se në rastet kur çështja është e pranueshme në meritë në Kushtetuese, pra që ka shkaqe thelbësore që diktojnë pranimin e kërkesës, kthimi i çështjeve për rigjykim në Gjykatën e Lartë apo gjykatat e niveleve të tjera, pasi ka disa raste kur Gjykata Kushtetuese ka prishur edhe vendimin e Gjykatës së Lartë, por edhe vendime të gjykatave të tjera”, tha mes të tjerash Reçi.
Avokati Reçi ka deklaruar gjithashtu se vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë është në kundërshtim me vendimin e disa javëve më parë të Kolegjeve të Bashkuara të Gjykatës së Lartë, për rishikimin e praktikës së paraburgimit.
Për avokatin Reçi, masa e ‘arrestit me burg’ ndaj kryebashkiakut Veliaj nuk është e argumentuar nga Gjykata. Kjo pasi sipas Reçit, Veliaj mund të hetohej edhe në një masë më të lehtë sigurie.
“Kështu që edhe ky vendim nuk duhet të përbëjë përjashtim nga çfarë thamë më lartë. Edhe për këtë vendim, nuk është se ky vendim duhet të bëjë përjashtim nga ajo që thashë më lartë, që edhe për këtë vendim, ndonëse ka tani fuqi detyruese jo vetëm për gjykatat më të ulëta, por edhe për vetë kolegjin penal të Gjykatës së Lartë që gjykon këtë çështje, është detyrim ligjor, sipas vendimit po të Gjykatës së Lartë, vendim unifikues tashmë, jo vendim njëhsues. Gjykata shprehet në disa mënyra. Shprehet me vendimet e kolegjeve, shprehet me vendime njehsimi, pra që njehsohet praktika gjyqësore, pa pasur nevojë që të thirret i gjithë komuniteti i gjyqtarëve dhe rasti i disa ditëve më parë, ku u mblodh i gjithë komuniteti i gjyqtarëve, kolegji i bashkuar i Gjykatës së Lartë dhe vendosën të ndryshojnë praktikën gjyqësore, por në të vërtetë u bë ndryshimi i vendimit unifikues, që datonte në vitin 2012, që e kishte humbur aktualitetin e zbatimit të saj, nga gjykatat e të gjitha niveleve, edhe nga gjykata e lartë. Dhe nën lupën e kësaj të drejte, mendoj se Gjykata e Lartë do të ketë marrë vendim për mos-pranimin e kërkesës dhe rrëzimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit, nisur nga fakti se ndryshimet që i janë bërë kësaj praktike gjyqësore, janë më përpara sesa të përgatitej rekursi. Nuk jam i qartë nëse ka pasur një plotëim rekursi nga mbrojtësit ligjorë të Veliajt apo jo”, vijoi më tej Reçi.
Në përfundim Reçi tha se vendimi i sotëm i Gjykatës së Lartë nuk është një shenjë e mirë për mijëra qytetarë që presin drejtësi.
Ai i bëri thirrje Gjykatës së Lartë që të kthehet në shinat e ligjit, pasi sipas avokatit Reçi, deri më tani kjo gjykatë ka operuar në shinat e paligjshmërisë.
“Megjithatë kjo absolutisht nuk është një shenjë e mirë, sidomos për njerëzit që i kanë sytë nga gjykatat për të dhënë drejtësi. Mendoj se Gjykata e Lartë duhet të kthehet në shinat e ligjit, jo në shinat e paligjshmërisë që operon aktualisht. Është e njëjta gjykatë që mbajnë disa qëndrime të ndryshme për çështje të ngjashme. Këtu mungon siguria juridike”, përfundoi Reçi.
Nga ana tjetër, pedagogia Gjyli theksoi se çështja ndaj kryebashkiakut Veliaj është më shumë një betejë politike, sesa ligjore.
Vendimin e sotëm të Gjykatës së Lartë Gjyli e cilësoi në kundërshtim me vendimin e mëparshëm të Gjykatës Kushtetuese, e cila vendosi qëndrimin në detyrë të kryebashkiakut Veliaj.
Sipas pedagoges Gjyli, Veliaj po pengohet të kryejë detyrën e kryebashkiakut të Tiranës, detyrë për të cilën ka marrë edhe votëbesimin popullor në zgjedhjet lokale.
“Veliaj vazhdon betejën e tij sa ligjore, aq edhe politike. Sepse çështja e tij nuk është vetëm çështje ligjore, por edhe politike. Pesha shumë e madhe e kësaj vendimmarrjeje, lidhet me kërkesën që ai ka dërguar në Kushtetuese, duke kërkuar zbutjen e masës së sigurisë, të lidhur me proporcionalitetin, me rolin e tij të marrë nga Gjykata Kushtetuese, si drejtues i legjitimuar i Bashkisë Tiranë dhe i rikthyer në detyrë për ta ushtruar atë në kushte të jashtëzakonshme, pra nga burgu. Jemi në pikën që drejtësia vihet përballë vetvetes. Pra jemi në termat që Kushtetuesja e rikthen në detyrë për ta ushtruar në kushte të jashtëzakonshme. Që do të thotë praktikisht çfarë mund të bëjë Veliaj nga burgu për Tiranën. Maksimumi mund të firmosë kur flasim për vendimmarrje të nivelit shumë të lartë. Por pastaj e gjithë vendimmarrja është në duart e zëvendës-kryebashkiakëve. Dhe këtu mendoj që çështja është sa politike, aq edhe e drejtësisë”, tha mes të tjerash Gjyli.


