Jimmy Kimmel ka ironizuar publikisht Elon Musk pasi miliarderi kritikoi përzgjedhjen e aktores Lupita Nyong’o për rolin e Helenës së Trojës në filmin e ri “The Odyssey” të regjisorit Christopher Nolan.
Debati nisi pasi u bë e ditur se Lupita Nyong’o do të interpretojë figurën ikonike të Helenës së Trojës, personazhin mitologjik që konsiderohet si gruaja “që nisi një mijë anije”, pas rrëmbimit të saj nga Parisi në Luftën e Trojës.
Vendimi i Nolanit shkaktoi reagime të shumta në rrjetet sociale, ku komentatori konservator Matt Walsh kritikoi zgjedhjen e aktores, duke pretenduar se regjisori do të akuzohej për racizëm nëse rolin e “gruas më të bukur në botë” do t’ia jepte një aktoreje të bardhë.
Në këtë debat u përfshi edhe Elon Musk, i cili iu përgjigj komentit të Walsh me fjalën: “E vërtetë”.
Por reagimi i Musk nuk kaloi pa kundërshti. Pas aktorit Alec Baldwin, edhe Jimmy Kimmel vendosi ta ironizojë publikisht gjatë emisionit të tij televiziv.
Moderatori amerikan shfaqi në ekran postimet e Musk dhe u tall me komentet e tij, ndërsa nuk kurseu as ironitë për automjetin Tesla Cybertruck.
“Merre me punët e tua”, tha Kimmel në mënyrë ironike, duke lënë të kuptohet se Musk po ndërhyn në tema që nuk kanë lidhje me të.
Në një tjetër postim të publikuar së fundmi, Musk kishte sulmuar edhe kriteret e Academy Awards, duke pyetur: “Kush është idioti që shtoi gënjeshtrat DEI në kriteret e Oscar-it, në vend që gjithçka të kishte të bënte vetëm me realizimin e filmit më të mirë?”
Debati ka ndezur reagime të shumta online, ndërsa fansat e filmit janë ndarë mes mbështetjes për zgjedhjen e Lupita Nyong’o dhe kritikave ndaj komenteve të Elon Musk.





