Nga Roland Qafoku
Sot, rreth orës 17.00 ambasada amerikane në Tiranë postoi një lajm që po kalon pa ndonjë bujë në median shqiptare. E Ngarkuara me Punë, Nancy VanHorn, inaguroi një memorial në nderim të dy punonjësve shqiptarë të ambasadës, Loni Adams dhe Kol Kuqali, të cilët u arrestuan dhe u vranë nga regjimi i Enver Hoxhës pas largimit të misionit amerikan në nëntor të vitit 1946 (Foto 1). Loni Adams (foto 2) përkthyes dhe sekretar në ambasadë si dhe Kol Kuqali (fto 3), përkthyes, u vunë në pranga me akuzën “agjentë të SHBA” dhe u detyruan të pohonin se ishin në shërbim të tyre për të rrëzuar me dhunë regjimin e Enver Hoxhës. Por, të dy nuk pranuan dhe të dy vdiqën në tortura çnjerëzore. Përveçse kolegë në ambasadë, Kol Kuqali ishte burri i motrës së Loni Adams dhe regjimi komunist synonte të eleminonte edhe lidhjet familjare të tyre. Vuajtjet dhe sakrificat e familjeve që humbën dy djemtë kaluan përmes një kalvari të rëndë persekutimi të vazhdueshëmn. E megjithatë, ata kurrë nuk u mposhtën, nuk ndryshuan mendim dhe kurrë nuk thanë një fjalë kundër SHBA. Madje, familja e Adams bëri edhe një sakrificë me një rrezik që për atë kohë as perceptohej. Ata ruajtën dhe fshehën për 45 vjet pllakën ku shkruhej “Legata Amerikane”, e cila u mbyll kur misioni u largua. Vetëm në vitin 1991, gruaja e Loni Adams, Andromaqi Adams, e nxori nga vendi ku e kishte fshehur në shtëpinë e vetë dhe e dorëzoi në ambasadën e sapohapur (foto 4). I ngarkuari me Punë në atë kohë Chris Hill bëri një xhest kuptimplotë kur hyri në godinë. Kur ngriti flamurin amerikan pas 45 vitesh, ai ftoi bashkëshorten e Loni Adams, Andromaqi Adams të ishte bashkë me të në atë moment sublim dhe shumë prekës (Foto 5). Në librin tim “Ambasadorët amerikanë në Shqipëri 1922-2022”, botim i Onufrit në vitin 2022, këtë moment e kam përshkruar me këto fjalë:
“Ndërkaq, ngritja e flamurit amerikan në oborrin e godinës më 1 tetor 1991 ishte një emocion që nuk gjendet fjalë të përshkruhet. Pas 45 vjetësh, 1 muaji e 13 ditësh, Hill nuk po ngrinte thjesht flamurin që George Henderson e kishte ulur atë 14 nëntor 1946. Ai po ringrinte një epokë të re mes SHBA-së dhe Shqipërisë. Chris Hill bëri një zgjidhje që mbetet shenjë në histori. Ai zgjodhi që shtizën e flamurit ta ngrinte bashkë me vajzën e Loni Adams, përkthyesit legjendar të ambasadës, të pushkatuar nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Jo vetëm Hill, por edhe miqtë e tij ia quajnë atij si momentin më të veçantë të qëndrimit në detyrën e të ngarkuarit me punë”. (Faqe 237)
Unë kam patur fatin të intervistoja Viktor Adams, djalin e Loni Adam dhe më tregoi të gjithë historinë e dhimbshme të babait të tij, por edhe të Kol Kuqalit. Dhimbja ndaj tyre vazhdon të jetë edhe më e rëndë pasi pas gati 60 vjetësh nga vrasja, trupat e tyre nuk janë gjetur. Së paku me këtë memorial në oborrin e ambasadës për të cilën ata punuan dhe dhanë jetën, shpirtrat e tyre do gjejnë sado pak paqe. Faleminderit zonja VanHorn që kujton heronjtë shqiptarë të ambasadës amerikane!






