Pas kritikave të shumta kundër zgjedhjeve pa kandidatë për Doktorin, Muli vendosi sot të nisë një ofensivë kundër lajmeve të rreme.
Për këtë po bisedonte me Lelon për tezat që duhet të hedhin në shtyp këto ditë.
-Na mori më qafë ky Çim Peka me këtë lajmin që Doktorit do t’i heqin “non grata”, tha Muli. Nuk ishte nevoja. Ne nuk pjerdhim për “non gratën”. Çfarë na duhet të na e heqin, pasi ne e fituam me gjak betejën.
-E drejtë, tha Lelo. Por ai ka menduar se kështu sfumon këtë garën pa kandidatë të Doktorit.
-E ke gabim, tha Muli. Ajo nuk ka nevojë të sfumohet, ajo vetëm duhet të ndriçohet. Ajo është gara më e ndershme në botë.
-Si ta argumentojmë këtë? tha Lelo.
-Është garë e sinqertë, tha Muli. Hipokritë janë ata që vënë kandidatë kot përballë. Doktori është i sinqertë. E di që nuk e mund njeri dhe nuk do t’i vërë kandidatët në pozita të vështira. Nuk ka pse i poshtëron ata. Më mirë e merr përgjegjësinë mbi vete. Duke e njohur të gjithë si njeri të sinqertë, e pranojnë atë.
-Kjo është e vërtetë për demokratët, tha Lelo, por duhet t’u mbyllim gojën armiqve.
-Armiqtë nuk na interesojnë, tha Muli. Ata nuk votojnë. Ata që votojnë duhet të jenë të qartë se Doktori është njeri i sinqertë dhe ka vendosur që ata të zgjedhin ose atë ose asnjë. Kjo është dashuri e vërtetë. Nuk ka dashuri që zgjedh mes dy vetëve. Dashuria e vërtetë është ajo për një njeri.
-E kuptoj, tha Lelo. Por puna është si ta bëjmë të pranueshme për të gjithë këtë tezë.
-Shumë e thjeshtë, tha Muli. Duhet të themi se Doktori i dha fund hipokrizisë në politikën shqiptare. Ai mes prishjes së garës dhe ruajtjes së pastërtisë së saj zgjodhi të ruajë garën duke mos e prishur atë me kandidatë fals. Dhe për këtë ka meritë historike. Të tjerët duhet ta ndjekin atë.
-Ide e mirë, tha Lelo. Por këtë vetëm po e the ti e besojnë./Antena/Tema


