Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, në fjalën e mbajtur në Kuvend u ndal te çmimi i naftës në vend. Ai nënvizoi se akti normativ për taksën kombëtare dhe akcizën nuk ka ndikim pasi peshën kryesore e ka mbajtur Bordi i Transparencës.
Edhe pse e lëvdoi punën e Bordit, Braçe tha se ka rezerva për transparencën pasi fsheh modelin e tregut. Ai tha se çmimi aktual lidhet me situatën e luftës.
Braçe pati edhe një përplasje me liderin e PD-së, Sali Berisha.
“Ky akt normativ që kemi përpara është një mundësi e mirë për të diskutuar në lidhje me problematikat që lidhen me çmimet. Le ta themi qartë, sepse është në dritën e diellit. Çmimet e karburanteve lidhen me situatën e luftës në një rajon të caktuar të botës, që është një nga rajonet më prodhuese të hidrokarbureve në botë. Çmimet nuk erdhën për shkak të një qeverie, por për shkak të një situate në një rajon të caktuar të botës. Akti që kemi përpara, edhe pse i mirëpritur, është pa ndikim. Deri tani, nga fillimi i luftës, akti është përdorur nga data 3-8 prill dhe nga data 8-9 prill. Pra kaq ditë. Efekti ka qenë 37 milionë lekë. Ai që ka pasur ndikimin më të rëndësishëm ka qenë Bordi i Transparencës, që ka bërë një punë të lavdërueshme. Çmimi dje ishte 206 lekë për naftën standarde dhe sot është 196 lekë. Ajo që unë kam si rezervë në raport me Bordin deri tani lidhet drejtpërdrejt me transparencën e hidrokarbureve në këtë vend. Kur flas për modelin e tregut, kam parasysh atë që na është imponuar të gjithëve si konsumatorë në këtë vend.
Modeli i tregut mban çmimet e larta, për shkak të këtij modeli tregu, bën që kemi çmimin neto. Çmimi neto pa taksa i yni vazhdon të mbetet më i shtrenjti në rajon. Këtu, pasi kemi hequr taksat, ai që vendos është modeli i tregut, kosto, logjistika dhe patjetër marzhet e fitimit. Kam bërë një llogari dhe e përsëris që i referohet datës 16 mars, çmimi neto i naftës në Shqipëri ishte 0.984 euro/litër.
Ajo që më bën mua habi është që diferenca shkon në 40%, çmimi neto pa taksa. Askush nuk flet dhe nuk e merr kurajën të flasë për modelin e tregut në këtë sallë, të gjithë flasin për modelin e taksave. Ne kemi tatim mbi vlerën e shtuar, gjë që ka qenë edhe në kohën tuaj. Ne kemi akcizë, ndërsa akciza në kohën tuaj ka qenë me përqindje mbi çmimin e naftës. Edhe me këmbënguljen e operatorëve, e çuat akcizën me tarifë fikse, siç e kemi edhe sot. Taksën e qarkullimit e keni sjellë ju.
Kush po abuzon? (Drejtuar Berishës) Hajde këtu e fol ti, më tregon mua që po mbroj interesat e tregtarëve. Hajde zëri me gojë ti. Ti s’i ke zënë asnjëherë këtu në sallë.
E keni sjellë ju modelin. Po e kishit 7 lekë, është zgjedhja jonë që e kemi çuar 27 lekë. Ai çmimi 7 lekë nuk është njësoj si për atë që konsumon pak karburant, si për atë që konsumon shumë. Me këto tarifa të ulëta që keni ju, keni favorizuar gjithmonë ata konsumatorët e mëdhenj.
Mos ma përmend atë jahtin, se e kam votuar kundër gjithë kohës”, tha Braçe.
Duke iu rikthyer Bordit të Transparencës, Braçe kërkoi llogari për standardin e “naftës greke” që shitet deri në 13 lekë më shtrenjtë.
“Shikoj që ka dy çmime në tabelë dhe shkon në diferencë deri në 13 lekë për litër. Çfarë standardi nafte është ky që shkruhet në tabelë naftë greke? Çfarë standardi është që shënohet në tabelë dhe është 13 lekë më e shtrenjtë?”, tha Braçe.


