“Jam shumë mirë fizikisht dhe mendërisht“, thotë Ilir Meta, një ditë pasi opinioni publik u përball me gjendjen e transformuar të ish kreut të shtetit në kafazin e qelqtë në seancën e parë gjyqësore të mbajtur ndaj tij dhe ish-bashkëshortes Monika Kryemadhit.
“Gjendja ime fizike, shëndetësore dhe mendore është më e mirë se kurrë, pavarësisht gjithë privacioneve të bëra publike. Nëse më rrinte kostumi i madh, kjo nuk ka të bëjë me faktin se më kanë lënë pa ushqim, siç është thënë, por me aktivitetin tim fizik që më merr të paktën 4 orë në ditë, e sidomos me ushtrimet për muskujt e barkut. Po kështu, dieta ime është shumë e shëndetshme falë edhe përkujdesjes së motrës time dhe jo vetëm. Nëse shqetësimi është për modelin e flokëve, këtu nuk ka berber profesionist dhe ky nuk është problemi. Nëse problemi është te lëkura, mos harroni se këtu uji është plot klor dhe do të më mjaftonte një javë në lumin e Valbonës ose të Shalës për ta bërë më të shndritshme lëkurën“, është shprehur ai.
Meta thotë se lënia e tij në kafazin e qelqtë bëhet për ta denigruar dhe në dhunim të Konventës Europiane të të Drejtave të Njeriut.
“Pa surprizë GJKKO vendosi si standard dje rastin e trajtimit të një terroristi maroken në Francë, përgjegjës për sulm kamikaz me pasojë vdekjen e dhjetra qytetarëve francezë. Ky është një turp i ri i Ramaformës dhe pjellave të tij.Se si mund të jetë procesi i barabartë në këto kushte kur as dëgjon mirë, as dëgjohesh mirë dhe as kur mund të konsultohesh me avokatin, këtë vetëm njerëz të kapur dhe të pafytyrë mund ta justifikojnë, thotë Meta.
Skandal quan edhe vendimin për të mos lejuar të bëhen publike seancat gjyqësore. Ai thotë se është abili pretendimi se mund të ndikohen dëshmitarët, pasi ata janë pyetur më herët, ndërsa procesi nuk ka të penduar.
“Qytetarët duhet të shohin live se kur, si dhe me çfarë akti, vendimi, veprimi unë i kam shkaktuar një qindrakë dëm shtetit shqiptar. Për më tepër, në këtë proces nuk ka të penduar, por edhe nëse do të kishte në këtë rast s’kishte pse të jepej live. Ndërsa alibia se mund të ndikohen dëshmitarët është mashtrim, pasi ata i kanë dhënë me kohë dëshmitë dhe nën përgjegjësi penale”, shprehet ai.



