Forca të shumta të policisë janë vendosur mëngjesin e sotëm në aeroportin e Vlorës për t’i bërë pritë të tjera përplasjeve mes punonjësve të kompanisë ‘Macbo’ të Behgjet Pacollit dhe ‘2A Group’ të Valon Ademit, dy ortakët për ndërtimin e VIA-s.
Shkak është bërë konflikti mes dy ortakëve që ka përfunduar në dyert e gjykatave. Dje, punonjësit e kompanisë së Valon Ademit nuk kanë lejuar hyrjen brenda në aeroport të 22 nënkontraktorëve të thirrur nga Pacolli, për të kryer punime brenda aeroportit, nuk u lejuan të hyjnë në kantier. Ndërkohë këto të fundit bllokuan derën kryesore duke mos lejuar daljen e automjeteve të ‘2A Group’.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa pritet që gjatë ditës të ketë grumbullime dhe protesta nga palët në konflikt. Për këtë arsye, policia ka shtuar prezencën në zonë me qëllim parandalimin e incidenteve dhe ruajtjen e rendit.
Konflikti mes Behgjet Pacollit dhe Valon Ademit
Që prej muajit shkurt “2A Group” ka fituar në Apel përmes një sigurim padie, të drejtën e administrimit të aeroportit.
Ndonëse palët kishin firmosur një kontratë noteriale ku pjesa e aksioneve të shoqërisë së Ademit shkonte nga 2 në 49%, kontrata nuk ishte regjistruar në QKB. Sipas “2A Group”, ortaku “Mabco” “në fshehtësi, dhe pa vendim asambleje, vendosi veton që çdo kontratë pezullohej, dhe këtë vendim e regjistroi si “Mabco” e jo në fakt si “VIA”.
Menjëherë pas kësaj kompania e Ademit i kërkoi gjykatës pezullimin e veprimeve të ortakut tjetër deri në një vendim të dytë. Gjykata e pranon dhe bllokon veprimtarinë e “Mabcos” që të marrë vendime në asamble. Më pas Apeli, në janar e ndryshon pjesërisht duke vendosur një sigurim padie, që pezullonte, deri në përfundim të gjykimit, të drejtën e votës së “Mabco Constructions”, vetëm për vendimet që lidhen me tjetërsimin e 47% të aksioneve të aeroportit, që pretendohen nga ortaku tjetër, Valon Ademi i kompanisë “2A Group”.
Ndërkohë rezultoi se “Mabco” e Pacollit kishte marrë një kontratë kredie prej 100 milion eurosh nga Delphos, një fond investimesh guackë. Për këtë, Ademi hapi një tjetër çështje në gjykatë, duke kërkuar “pezullimin e çdo veprimtarie të ortakut dhe të drejtës së votës, dhe nisjen e procedurës së përjashtimit të ortakut nga shoqëria”.
Gjykata e Apelit vendosi t’i njihte ortakut të “2A Group” të drejtën e administrimit, “duke parandaluar tjetërsimin e kuotës të ortakut “2A Group” dhe mos lejimin e marrjes së administrimit të propozuar me një statut të paligjshëm, me qëllim firmosjen e kontratës me “Delphos” për tjetërsimin e aeroportit, nga përfitues të panjohur, për të cilët shtetit shqiptar nuk do të kishte juridiksion për ta kontrolluar e ngritur padi ndaj kësaj kontrate të kamufluar si kredi”, deklaruan mbrojtësit ligjor të “2A Group”.
Palët vijojnë përplasjet gjyqësore për shqyrtimin në themel, në Shkallë të parë, të dy çështjeve të hapura mes tyre.
Përveç përplasjes civile, Prokuroria e Tiranës ka nisur hetimet për biznesmenin Behgjet Pacolli me të vëllanë Emin Pacolli, si dhe Nelson Çelën, administrator i kompanisë mëmë në Zvicër Mabco Construction S.A. Të tre ata janë nën hetim për mashtrim me pasoja të rënda, mashtrim kompjuterik, si dhe falsifikim të dokumenteve dhe akteve.
Po ashtu, SPAK dyshon se dhënia me koncesion për ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës është bërë me shkelje ligjore. Pesë muaj pasi kreu i mëparshëm i Prokurorisë së Posaçme Altin Dumani e njoftoi në Kuvend se procedurat e koncesionit ishin në hetim paraprak, pasuesi i tij, drejtuesi aktual i SPAK Klodian Braho ka marrë të pandehurit e parë, në kufijtë e parashkrimit të ndjekjes penale.
Burime për Report Tv kanë konfirmuar se u janë komunikuar zyrtarisht akuzat e shkeljes së barazisë në tendera 3 anëtarëve të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave që marsin e vitit 2021 shpallën fituesin për koncesionin 35-vjeçar konsorciumin e kompanive Mabco Construction të Behgjet Pacollit, firma turke YDA dhe 2A Group e Valon Ademit.




