Kryeministri Edi Rama paralajmëroi këtë të dielë miratimin së shpejti nga vendet anëtare të raportit të vlerësimit për piketat e ndërmjetme, i njohur si IBAR-i. Kreu i qeverisë përshëndeti edhe arritjen e konsensusit PS-PD për rezolutën e integrimit evropian, dhe shtoi se pret bashkëpunime të tjera me opozitën në vijim.
***
Në fund të muajit shkurt Komisioni europian i dorëzoi vendeve anëtare raportin mbi ecurinë e Shqipëri në plotësimin e atyre që quhen piketat e ndërmjetme e që përfshijnë fusha delikate si sundimi i Ligjit e drejtësia. Për Komisionin europian vlerësimi ishte pozitiv. Deri më tani mes vendeve anëtare, të përfaqësuara në Grupin e punës për Zgjerimin, COELA, janë zhvilluar disa takime. Një proces i cili zgjoi në Shqipëri dilema dhe hamendësime, për ngecje apo deri dhe ngrirje.
Këtë të dielë, kryeministri duke përsëritur se bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, paralajmëroi dakortësinë e pritshme mes vendeve anëtare për qëndrimin e përbashkët mbi ato që tanimë do të jenë piketat përmbyllëse, objektivat që duhen arritur, për t’i dhënë fund negociatave.
“Kanë kuptuar që procesi është i pandalshëm, që bllokimi i shumëpërfolur nuk ekziston, që së shpejti do të vijë edhe lajmi i ri dhe i mirë, si të gjitha lajmet për hapjen e kapitujve, të kapërcimit në fazën tjetër të procesit dhe do të hapet edhe rruga për fillimin e mbylljes së kapitujve të negociatave. Kështu që bashkimi, sado i befasishëm dhe sado i ngutur në “varkën e Shqipërisë europiane”, ku ne jemi aty prej kohësh dhe ku vendin e kanë gjithmonë aty, është plotësisht i mirëseardhur”,- tha Rama.
Rama reagoi për herë të parë edhe për miratimin me konsensus të rezolutës së integrimit evropian duke e quajtur pozitiv, por tha se mirëpret më shumë bashkëpunime të tilla në parlament.
“Kuvendin e Shqipërisë, ku befasisht, por e përsëris pozitivisht, forcat opozitare të Kuvendit të Shqipërisë u bashkuan me shumicën qeverisëse për një rezolutë të lidhur me anëtarësimin në Bashkimin Europian. Më vjen mirë realisht që ndodhi diçka e tillë. Do të ishte mirë të ndodhte vazhdimisht kur flasim për anëtarësimin në Bashkimin Evropian”,- tha Rama.
Teksti final i rezolutës për integrimin europian, ishte fryt i një momenti të rrallë konsensusi mes PS dhe PD në Kuvend. Dokumenti, ruajti një pjesë të kërkesave të opozitës, duke shmangur pothuajse të gjitha formulimet e forta politike dhe akuzat e drejtpërdrejtja ndaj qeverisë. Krahasuar me variantin fillestar të propozuar nga PD, teksti i miratuar, ishte më institucional, më neutral dhe me gjuhë më të zbutur politike.


