Shqipëria ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në forcimin e sistemit të mbrojtjes, duke miratuar projektligjin për krijimin dhe organizimin e forcës së rezervistëve në Forcat e Armatosura.
Sipas autoriteteve, kjo strukturë synon të rrisë kapacitetet ushtarake të vendit, duke e bërë sistemin e mbrojtjes më fleksibël dhe më të gatshëm për situata të ndryshme.
Duke folur në RTSH 24, Gjeneral Ardian Lilo theksoi se aktualisht Forcat e Armatosura funksionojnë me personel aktiv, por përfshirja e rezervistëve sjell një dimension të ri në forcimin e mbrojtjes kombëtare.
“Momentalisht, Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë kanë vetëm komponentin aktiv, i cili presupozohet të jetë i gatshëm në mënyrë të menjëhershme, i përgatitur për t’u dislokuar dhe për të përmbushur të gjitha detyrat që ka, si në funksion të mbrojtjes së atdheut, ashtu edhe në kuadër të aleancës. Komponenti rezervist do të krijojë një forcë shtesë, një kapacitet shtesë, i cili do të plotësojë këtë komponent, si me numra, ashtu edhe me aftësi”, tha Lilo.
Ai sqaroi se rezervistët do të jenë pjesë e strukturës ushtarake jo aktive, me kosto më të ulët, por të gatshëm për t’u aktivizuar në rast nevoje, si në mbrojtje të vendit ashtu edhe në situata civile emergjente. Procesi është vullnetar dhe i bazuar në angazhimin individual.
“Roli i tyre do të jetë i zgjeruar, jo vetëm brenda atdheut në rast të mbrojtjes së tij, por edhe në rast të emergjencave civile apo operacioneve në ndihmë të komunitetit”, sqaroi Lilo.
Sikurse do të jetë edhe në rast se do të jetë e nevojshme për operacione në kuadër të aleancës. Kuptohet që për rezervistët, gjithçka është e bazuar në vullnet dhe dëshirë.
Nga ana tjetër, Kolonel Fadil Ciroku bëri të ditur kriteret për përfshirjen në këtë strukturë, ku përfshihen shtetësia shqiptare, mosha deri në 50 vjeç dhe aftësia fizike për shërbim.
“Së pari, duhet të jetë shtetas shqiptar, të jetë i aftë nga ana shëndetësore dhe të mos jetë i dënuar. Kriteri i moshës është deri në 50 vjeç”, tha Ciroku.
Sipas tij, çdo kandidat do të nënshkruajë një kontratë dyvjeçare dhe do t’i nënshtrohet testimeve përkatëse për përzgjedhje.
“Gjatë ditëve që ai shërben në Forcat e Armatosura, përfiton të gjitha të drejtat që kanë ushtarakët aktivë. Por ka edhe detyrimin që t’i përgjigjet thirrjes së Forcave të Armatosura për datën dhe vendin ku duhet të paraqitet për të zhvilluar testimet”, tha ai.
Ai njoftoi gjithashtu se thirrja e parë për 363 kandidatë është hapur 10 ditë më parë, ndërsa deri tani janë regjistruar 98 aplikime, prej të cilave 68 plotësojnë kriteret bazë.





