Me pranga në duar dhe kokat poshtë, kështu janë shfaqur aktivistët e “Global Sumud Flotilla” pasi u ndaluan nga marina izraelite gjatë lundrimit drejt Gazës. Pamjet janë publikuar nga ministri izraelit i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, i cili shkoi në portin e Ashdodit dhe i ironizoi aktivistët me fjalët: “Mirë se vini në Izrael, ne jemi pronarët e kësaj shtëpie”.
Në një tjetër video, një aktivist afrohet pranë ministrit dhe më pas neutralizohet nga agjentët e Shin Bet. Ben-Gvir dëgjohet gjithashtu duke i thënë një aktivisti “Am Yisrael Chai” (“Populli i Izraelit jeton”), ndërsa në sfond dëgjohet thirrja “Hatikva” (“Rroftë!”).
“Mund të shihni si erdhën me shumë krenari dhe si janë katandisur tani. Nuk janë heronj apo diçka e tillë, janë mbështetës të terrorizmit”, deklaroi Ben-Gvir, duke i kërkuar kryeministrit Benjamin Netanyahu që aktivistët të mbahen për një kohë të gjatë në burgjet antiterrorizëm.
Reagimi i Italisë për këtë video ishte i menjëhershëm. Kryeministrja italiane, Giorgia Meloni, dhe ministri i Jashtëm, Antonio Tajani, i cilësuan pamjet “të papranueshme”.
“Pamjet e ministrit izraelit Ben Gvir janë të papranueshme. Është e palejueshme që këta protestues, mes të cilëve ka shumë qytetarë italianë, t’i nënshtrohen një trajtimi që cenon dinjitetin njerëzor”, thuhet në deklaratën e përbashkët të Melonit dhe Tajanit.
“Qeveria italiane po ndërmerr menjëherë, në nivelet më të larta institucionale, të gjitha hapat e nevojshëm për të siguruar lirimin e menjëhershëm të qytetarëve italianë të përfshirë. Italia kërkon gjithashtu ndjesë për trajtimin e rezervuar ndaj këtyre protestuesve dhe për shpërfilljen totale të treguar ndaj kërkesave të qarta të Qeverisë italiane” thuhet më tej
Për këto arsye, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar do të thërrasë menjëherë ambasadorin izraelit për të kërkuar sqarime formale mbi atë që ka ndodhur.
Në mesin e 428 aktivistëve të ndaluar nga marina izraelite, është dhe shqiptari Baki Goxhaj. Ende nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë në vijim me ta, ndërsa sipas Ministrisë së Jashtme në Shqipëri, rasti po ndiqet nëpërmjet kanaleve diplomatike për të siguruar respektimin e të drejtave të tij.





