Organizata libaneze Hezbollah nuk do t’i përmbahet asnjë marrëveshjeje që mund të dalë nga bisedimet e drejtpërdrejta mes Libanit dhe Izraelit, të cilat nisin sot në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, deklaroi një zyrtar i lartë i saj. Vafik Safa, anëtar i lartë i këshillit politik të Hezbollahut, foli në prag të takimeve që do të zhvillohen në Uashington midis ambasadorëve libanezë dhe izraelitë.
“Sa u përket rezultateve të këtyre negociatave mes Libanit dhe armikut izraelit, ato nuk na interesojnë dhe nuk na shqetësojnë aspak”, u shpreh Safaja në një deklaratë për Associated Press. Një ditë më parë, udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, bëri thirrje për anulimin e bisedimeve, duke i cilësuar ato si “dorëzim”.
“Ne i refuzojmë negociatat me entitetin izraelit. Këto bisedime përbëjnë nënshtrim dhe dorëzim”, theksoi Qassemi gjatë një fjalimi televiziv, duke kërkuar anulimin e takimit. Në negociata pritet të marrë pjesë edhe Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, sipas konfirmimit të Departamenti i Shtetit i SHBA-së. Një zyrtar i këtij institucioni deklaroi se, si rezultat i drejtpërdrejtë i veprimeve të Hezbollahut, qeveritë e Izraelit dhe Libanit po hyjnë në bisedime të hapura, të drejtpërdrejta dhe të nivelit të lartë – të parat e këtij lloji që nga viti 1993 – me ndërmjetësimin e Shteteve të Bashkuara.
Sipas tij, diskutimet do të përqendrohen në sigurimin afatgjatë të kufirit verior të Izraelit dhe në mbështetjen e përpjekjeve të Libanit për të rifituar sovranitetin e plotë mbi territorin dhe jetën e tij politike. Ai shtoi se Izraeli është në konflikt me Hezbollahun, jo me Libanin, ndaj nuk ka arsye që dy vendet fqinje të mos dialogojnë.





