Samuel Fedor është fituesi i etapës së dytë të Turit të 83 çiklistik të Shqipërisë, Lezhë – Elbasan e gjatë 149.9 km, garë e zhvilluar të martën. Çiklisti sllovak i skuadrës Dukla Banksa Bystrica arriti të triumfojë pas një itinerari sfidues pas një rivaliteti të fortë deri në çastet e fundit të tij.
Në vendin e dytë u rendit zvicerani Zhylien Haldiman, ndërsa podiumi u plotësua nga belgu Lenz Dekabuter.
Përsa i përket klasifikimit të përgjithshëm, në përfundim të dy etapave ai që kryeson duke mbajtur edhe fanelën e verdhë të Turit është belgu Kjell Cooman me kohën totale 6 orë 58 minuta e 57 sekonda i ndjekur në vendin e dytë Iustin Ioan Vaidian me 7 sekonda më shumë, ndërsa në vendin e tretë është Guillaume Haldimann.
Për Shqipërinë, pas dy etapave të para ai që është pozicionuar më mirë në klasifikimin e përgjithshëm është Gabriele De Fabritiis që ndodhet në vendin e 29-të. Turi i 83 Çiklistik do të vijojë sot me etapën e tretë Elbasan – Vlorë, e gjatë 172.4 km.


