Sot në Gjykatën Administrative pritet të shqyrtohet padia e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj ndaj prokurorit të SPAK-ut, Ols Dado, i cili në vitin 2008 u emërua prokuror në shkelje të ligjit. Sipas Veliajt, Dado nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës, duke mos përmbushur kushtet për t’u kualifikuar si prokuror.
Avokati mbrojtës i Veliajt, Plarent Ndreca tha dje se pjesë e kësaj ‘harmonie institucionale’, për të mos lejuar shqyrtimin në themel të çështjes, është bërë edhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Sipas tij, nga vetë zhvillimi i procesit gjyqësor dhe provat e administruara deri tani, rezulton se Presidenti i Republikës, në momentin e dekretimit të Ols Dados si prokuror, nuk ka kryer verifikime reale mbi plotësimin e kushteve ligjore për emërimin e tij.
“Në vend që të kërkojë shqyrtimin në themel të çështjes dhe zbardhjen e së vërtetës juridike mbi vlefshmërinë e dekretit presidencial, përfaqësuesja e KLP-së është paraqitur në gjykim me të njëjtën strategji procedurale si vetë subjekti që është objekt i kontrollit, përmes goditjes së legjitimimit të paditësve. KLP po përpiqet të pengojë vetë shqyrtimin në themel të saj. Pra organi kushtetues që duhet të garantojë ligjshmërinë dhe integritetin e sistemit prokurorial behet pjesë e një mekanizmi institucional mbrojtës që synon mbylljen procedurale të një problemi me pasoja shumë të rënda për shtetin e së drejtës”, tha Ndreca.
Debatet e zbardhura në Gjykatën Administrative, dëshmojnë se presidenti i kohës, Bamir Topi, i cili ka firmosur dekretin për Dadon, ka pasur vetëm një propozim nga Prokurori i Përgjithshëm dhe shkresën përcjellëse.
Ndreca siguroi edhe një herë se do të kërkojë transparencë të plotë në gjykatë dhe transmetim live të seancave pasi sipas argumenteve, Erion Veliaj nuk është në shërbim të kryeqytetit, edhe pse kryebashkiak, për shkak të një vendimi të marrë nga një autoritetet që nuk ekziston dhe kjo ka dëmtuar interesin e qindra mijëra qytetarëve të Tiranës.
Kryebashkiaku Veliaj u ka kërkuar edhe përfaqësive ndërkombëtare që të ndjekin nga afër seancën e sotme.





