Nën hetim nga SPAK për mosdeklarim pasurie dhe pastrim parash, Belind Këlliçi vijon të përdorë mandatin e deputetit për gjobëvënie. I lakuar si koordinatori i një prej rrjeteve më kriminale të call centerave me anëtarë ish drejtues degësh të FRPD-së, Belo Këlliçi po përdor edhe foltoren e Kuvendit për zhvatje pasurie. Ditët e fundit, objekt gjobëvënie i Belind Këlliçit është bërë Jet Bank, banka e parë digjitale në Shqipëri.
Fillimisht, Belo Këlliçi u dha një mesazh aksionerëve të bankës, si kërkesë e kamufluar për t’u ulur në pazar me ta, përmes një postimi në Facebook në 20 prill 2026, ku publikoi disa informacione të mbledhura në Google, duke i paraqitur si një zbulim të madh dhe kompromentues falë një pune të thelluar investiguese.
“Investigimin” Belo mësohet se e kishte realizuar në bashkëpunim me mentoren e tij të gjobave, Brisida Shehaj, e njohur si Brisi i Tatimeve. “Skandali i rradhës me Jet Bank dhe Bankën e Shqipërisë! Sot po publikoj dokumente zyrtare të Ministrisë së Brendshme Gjermane, që hedhin dritë mbi kërcënimin serioz të sistemit tonë bankar nga licensimi i JET BANK, ku një zinxhir marrëdhëniesh mes disa individësh nuk mund të trajtohen më si rastësi administrative“, shkroi Belo.
Përfaqësuesit e Jet Bank nuk e qasën, duke e kaluar në heshtje kërkesën e Belos për pazar. Në këto kushte, Belo Këlliçi vendosi t’a ngrinte në Parlament ‘problemin’ e Jet Bank, me qëllim për të shtuar presionin, duke përdorur hapësirën dhe minutazhin në Kuvend, thua se Jet Bank është halli i fundit i zgjedhësve! Kulmi arriti seancën e djeshme, ku Belind Këlliçi kërkoi ngritjen e një komisioni hetimor për Jet Bank, ndërsa kërkoi edhe interpelancë me kryeministrin Edi Rama.
“Zyrtarisht sot në Kuvendin e Shqipërisë kam kërkuar ngritjen e një Komisioni Hetimor
Parlamentar për liçensimin e Jet Bank si dhe pezullimin e menjëhershëm të liçensësës, deri në përfundim të hetimit parlamentar dhe verifikimin e plotë e të pavarur të të gjitha kushteve ligjore… Edi Rama ishte thirrur në interpelancë për çështjen e Jet Bank, një liçensim i dyshimtë, pikërisht kur Shqipërisë i kërkohet të ndalojë pastrimin e parave dhe të luftojë skemat kriminale me mashtrimet on-line“, shkroi Belo, ndërsa mbajti edhe një fjalim për Jet Bank në Kuvend.
Marifeti i Belind Këlliçit për të përlyer Parlamentin për hallin e tij të përbashkët me Brisida Shehajn për t’i zhvatur para Jet Bank u injoruar si nga mazhoranca, ashtu edhe nga vetë opozita. Këngës së Belos për Jet Bank nuk iu bashkua asnjë zë tjetër. Kërkesat e tij për interpelancë dhe komision hetimor as nuk u konsideruan fare nga shumica.
Ndërkaq, i paqartë mbetet roli i Shkëlzen Berishës, rezervuarit më të madh të zhvatjes në Shqipëri, përmes presionit me akuza dhe linçime nga Sali Berisha. Nuk dihet nëse tentativa për shantazh i Belind Këlliçit ndaj Jet Bank është një qëllim grabiqar vetëm i Belos dhe Shehat apo janë në koordinim me Shkëlzen Berishën.
Kush qëndron pas Belos?
Brisida Shehaj ka qenë pjesë e strukurave të larta drejtuese të Partisë Socialiste. Rama i besoi postin e drejtores së Tatimeve në vitin 2013 deri në vitin 2016. PD-ja dhe Sali Berishën e kanë akuzuar Brisin për krime të rënda financiare, lidhje nepotike dhe afera në krye të Tatimeve.
Më pas Rama e emëroi Brisin zv/ministre të Ekonomisë dhe kryetare e Task- Forcës për bregdetin. Bleta e Tatimeve doli nga radari i Ramës kur nisi spostimi i Saimir Tahirit dhe Ditmir Bushatit.
Në vitin 2020, befas Brisi iu bashkua Lëvizjes Socialiste për Integrim, tashmë një sinonim i korrupsionit. Në zgjedhjet parlamentare të 2021, Meta e vendosi Brisin të fundit në listën e kandidatëve për deputetë në Tiranë, numri 36.
Brisi mori 918 vota, një rezultat pozitiv në raport me votat që mori Petrit Vasili, 362 vota.
Megjithatë, Brisi nuk u demotivua. Në konferencat e para për shtyp me logon e partisë së re, Ilir Metaj e gradoi Brisida Shehajn në krye të njësisë antikorrupsion që do të ngrihej dhe do të bënte namin duke denoncuar aferat korruptive të qeverisjes korruptive të Edi Ramës nga Konispoli në Vermosh.
Pas asaj daljeje, Brisida Shehaj doli edhe herë të tjera nga selia e LSI-së me emrin e Partisë së Lirisë, nëpër emisione, studio e panele televizive. Daljet i shoqëronte me fatura të vjetërura mashtrimi me TVSh-në, për të cilat në 2018 ka nisur një hetim nga Prokuroria e Tiranës.
Groteskja ishte e dyfishtë. Së pari partia e Ilir Metës, simbol i korrupsionit, do të kishte një departament kundër korrupsionit. Së dyti, Shehaj duhej të denonconte edhe aferat e saj në krye të Tatimeve dhe task-forcës për bregdetin.
Por, Brisida Shehaj nuk do ta kishte të gjatë. Pa paralajmërim, Monika e përjashtoi fillimisht nga grupi i WhatsApp i partisë.
Më pas lëshoi urdhrin verbal që ‘bleta e tatimeve’ të mos i afrohej selisë së partisë si dhe informoi linjat e saj mediatike se Shehaj nuk përfaqësonte më Partinë e Lirisë.
Një burim i brendshëm tha se shkak i ‘tërbimit’ të Monikës ishin disa mesazhe me përmbajtje të dyshimtë të Shehajt me Ilir Metën.
Edhe pse Shehaj është e bindur se raporti me Metën ishte brenda korrnizës politike dhe të bashkëpunimit për kauzat e partisë, Monika, e pushtuar nga paranojat, duket se ka parë flirt.
Nga ana tjetër, Meta, para divorcit, u përpoq të qetësonte Monikën se Brisin e kishte si vajzën e tij dhe se babain e saj ish-Shefit të Sigurimit të Shtetit, Ibrahim Shehaj, e kishte mik që nga viti 1992. Megjithatë, Monika ishte e prerë: Brisi nuk duhet t’i afrohej më selisë së partisë, dyqan që sot hapet vetëm nga Tedi Blushi, i njohur si Bilushi i Metës.
Afrimi me Belon
Brisida Shehaj nuk u mendua gjatë pasi Monika e dëboi nga LSI-ja, por u afrua me Belind Këlliçin, duke u bërë pjesë e shtabit të tij në garën për Bashkinë e Tiranës, në zgjedhjet e 2023. Ditët e fushatës nisnin me takime dhe premtime, ndërsa përfundonin me bankete.
Belo Këlliçi humbi me 60 mijë vota përballë Erion Veliajt. Kështu humbi edhe ëndërra e Shehajt për t’u bërë nënkryetare e Bashkisë së Tiranës.
Pas një vere depresive, Belo dhe Shehaj gjetën sërish një arsye për t’u bërë bashkë: Për kauzën e inceneratorëve, që kishin nisur Ilir Meta në skenë dhe Arben Ahmetaj në prapaskenë.
Në kuadër të investigimit të thelluar të aferës së inceneratorëve, Belo dhe ‘bleta e tatimeve’ rrinin mbyllur në kosheren e SHQUP-it, duke zbuluar çdo javë ‘fakte të reja’ për inceneratorët.
Herë pas here, Brisi denonconte edhe koncensione dhe tendera të qeverisë. Ka denoncuar koncensionin e sterilizimit, investimin në Portin e Durrësit, rafinerinë e Ballshit etj.
Vetëm një koncesionin që po hetohet nga SPAK, Brisida Shehaj nuk e ka denoncuar kurrë. Nuk e përmend kurrë. Bëhet fjalë për koncensionin 114 milionë euro të laboratorëve. Pse nuk e përmend kurrë? Mos vallë një pjesë të këtyre parave kanë hyrë në shtëpinë e saj?
Grup gjobëvënie
Nga kosherja e Rilindjes, Bleta e Tatimeve u dëbua nga LSI-ja dhe përfundoi në kosheren e PD-së në SHQUP. Që nga gushti 2023, Brisi dhe Belo u mbyllën në një dhomë të SHQUP-it për të denoncuar korrupsionin. Duke përdorur informacionet si ish drejtoreshë e Tatimeve, ish drejtoreshë të Agjencisë Shtetërore të Investimeve (AIDA) dhe ish kryetare e Task-Forcës për Tokat e Bregdetit, Brisi i koncensioneve që po heton SPAK, i shkruante Belos denoncime shantazhuese për biznesmenë dhe zyrtarë publikë.
Disa u çuan zarfet, të tjerë heshtën. Sistemi i gjobëvënies nga penxheret e SHQUP-it vijon me intensitet, ku në disa raste Belo dhe Brisi kanë tentuar të ‘krehi ’ disa subjekte që paguanin në të njëjtën kohë te Shkëlzeni. Brisi mbledh informacione, ndërsa Belo i publikon pjesërisht në formë mesazhi të koduar në Facebook, studio televizive dhe Kuvend./Prapaskena.com


