Presidenti francez Emmanuel Macron ka deklaruar se synon të largohet nga politika në vitin 2027, në fund të mandatit të tij të dytë 5-vjeçar.
Gjatë një vizite në Qipro, ai u shpreh se “nuk ishte në politikë më parë dhe nuk do të jetë as pas saj”, duke lënë të kuptohet se nuk planifikon të vazhdojë aktivitetin politik pas presidencës.
Macron shtoi se në këtë fazë të mandatit, sfida më e madhe është të ruajë ekuilibrin mes mbrojtjes së arritjeve të tij dhe pranimit të atyre që “nuk kanë funksionuar”.
Ndërkohë, në Francë ka nisur tashmë diskutimi për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Kandidatë të mundshëm nga e majta, qendra dhe e djathta ekstreme po përgatiten për garën, ndërsa po përpiqen të krijojnë një imazh më tërheqës për publikun.
Ekspertët mendojnë se deklarata e Macron mund të jetë pjesë e një strategjie politike, për të ndërtuar narrativën e trashëgimisë së tij dhe për të lënë hapësirë për pasardhësin e kampit të tij politik.
Megjithatë, ai mbetet aktiv në arenën ndërkombëtare, ku vazhdon të ketë rol të dukshëm në çështje globale si marrëdhëniet me SHBA-të, lufta në Ukrainë dhe politika evropiane.
Disa analistë nuk përjashtojnë mundësinë që pas vitit 2027, Macron të rikthehet në një formë tjetër politike apo në një post ndërkombëtar, edhe pse ai vetë për momentin e ka mohuar një gjë të tillë.





