Një delegacion i partisë Fratelli d’Italia, forca politike e kryeministres italiane Giorgia Melonit, qëndroi sot disa orë në Gjadër të Lezhës për të verifikuar funksionimin e kampit të emigrantëve i ngritur sipas një marrëveshjeje mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane që fillimisht parashikonte pritjen e emigrantëve që kapeshin në det deri në riatdhesimin e tyre.
Kampi i Gjadrit është ndërtuar me tre zona: njëra për pritjen e emigrantëve, tjetra që do të funksiononte si Qendrën e Qëndrimit për Riatdhesim (CPR) dhe një tjetër ishte burgu për rastet kur emigrantët kryenin vepra penale brenda kampit.
Marrëveshja, hasi probleme juridike pas disa vendimeve të gjyqësorit italian. Në pranverën e vitit të kaluar, qeveria Meloni nxorri një dekret në të cilin parashikohej mundësia e transferimit në Qendrën e Qëndrimit për Riatdhesim (CPR) në Gjadër, edhe të të huajve të parregullt që ndodheshin tashmë në Itali, dhe ndaj të cilëve po merreshin në shqyrtim masat e dëbimit nga vendi
LEXO EDHE:
Sot luhet për biletën e finales në Kupën e Italisë, Interi me dy mungesa! Como kërkon ‘ta bëjë sefte’
Aktualisht në Gjadër funksionon vetëm CPR-ja, e cila ka një kapacitet prej 96 vendesh.
Që nga prilli i vitit të shkuar, në këtë qendër janë trajtuar 527 emigrantë.
Në dalje të vizitës, deputetja e Fratelli d’Italia, Sara Kelany, përgjegjëse për Departamentin e Emigracionit hodhi poshtë pretendimet e opozitës italiane dhe deklaroi se kampi funksionon normalisht.
“Kemi ardhur këtu për të dëshmuar se këto qendra funksionojnë, në dimensionin e tyre si CPR, aktualisht në kapacitet të plotë” tha Kelany
Aktualisht në Gjadër, ndodhen 82 emigrantë, me origjinë nga Afrika e Veriut, Afrika Qendrore dhe Bangladeshi. 82 të tjerë janë riatdhesuar, ndërkohë që në 270 raste mungon konfirmimi i transfertës së tyre
“Gjyqësori italian vlerësoi se kushtet për paraburgim mungonin dhe për këtë arsye, këta individë, pavarësisht se kishin një precedent penal mbresëlënës, u liruan”, nënvizoi Kelany.
Me hyrjen në fuqi të Paktit për Migracionin dhe Azilin në muajt në vijim, shpjegoi ajo, “ekziston një kornizë më e gjerë për qendrat e kthimit, e cila përqafon plotësisht mundësinë e përdorimit të kësaj qendre në mënyrë konstante dhe të vazhdueshme”.
Pjese e delegacionit ishin kryetarët e grupeve parlamentare në Dhomën e Deputetëve dhe Senat, Galeazzo Bignami dhe Lucio Malan, si dhe zëvendëskryetarët e grupeve Augusta Montaruli, Raffaele Speranzon dhe Salvatore Sallemi.
Qëllimi i kësaj vizite ishte sipas deputetëve, hedhja poshtë me fakte e narrativës ‘së shtrembëruar dhe të qëllimshme’ të opozitës italiane, sipas së cilës këto struktura nuk funksionojnë ose, më keq, janë një shpenzim i pajustifikuar fondesh.
Deputetët e partisë së Melonit e shohin këtë si një projekt që funksionon dhe që përkundrazi përfaqëson një model për gjithë Europën.
Sipas qeverisë Meloni, modeli i qendrave si ai në Shqipëri synohet të shtrihet edhe në vende të tjera, përfshirë Afrikën, në kuadër të strategjisë së re për emigracionin. Ndërkohë kryeministri Edi Rama e ka bërë të qartë së fundmi se ky model i qendrave të riatdhesimit është ekskluzive vetëm për Italinë.
Në përfundim të vizitës, deputetët italianë do të përgatisin një raport për qeverinë Meloni ku do të paraqitjen gjetjet e vizitës.





