Banorët e kryeqytetit të Lituanisë, Vilnius, u detyruan të futeshin përkohësisht në bunkerë dhe strehime nëntokësore pasi sot Ministria e Mbrojtjes dërgoi një alarm për dron në telefonat celularë.
“Alarm ajror! Shkoni menjëherë në një strehë ose vend të sigurt, kujdesuni për familjarët dhe prisni udhëzime të mëtejshme” kështu shkruante alarmi që u dha rreth orës 10:20 me orën lokale.
Sipas mediave ndërkombëtare, transporti në Vilnius u pezullua, fluturimet në aeroportin ndërkombëtar u ndalën dhe trenat u bllokuan përkohësisht. Ushtria lituaneze deklaroi se ishte identifikuar një sinjal radarik në hapësirën ajrore të Bjellorusisë me karakteristika të ngjashme me një mjet fluturues pa pilot.
Për shkak të situatës, u aktivizua edhe misioni i patrullimit ajror të NATO. Në bunkerë u strehuan edhe presidenti Gitanas Nauseda, kryeministrja Inga Ruginiene dhe deputetë të parlamentit.
Alarmi u hoq rreth orës 11:00 dhe qytetarët u lejuan të dilnin nga strehimet. Ngjarja konsiderohet shumë e pazakontë, pasi është hera e parë që nga nisja e pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022 që një vend anëtar i BE-së dhe NATO-s urdhëron popullsinë të strehohet për shkak të një alarmi për dron.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, deklaroi se Rusia dhe Bjellorusia mbajnë “përgjegjësi të drejtpërdrejtë” për incidente të tilla në kufirin lindor të BE-së. Ndërsa sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha se edhe nëse dronët që bien në vendet baltike janë nisur nga Ukraina, faji mbetet i Rusisë për shkak të luftës.





