Juristi Kreshnik Spahiu mendon se nuk ishte Mereme Sela ajo që do ta bënte PD-në qesharake, por gara pa kandidatë (përveç Sali Berishës) e 23 majit, për zgjedhjen e kryetarit të kësaj partie.
Sipas Spahiut, zgjedhjet ku në garë do të jetë vetëm Sali Berisha, nuk janë zgjedhje reale. Për Spahiun, e padrejtë ishte edhe moslejimi i Vladimir Mulajt për të kandiduar për kreun e PD-së, një personazh që sipas juristit, ka pasur një kontribut ndër vite në këtë forcë politike.
“Zonja Mereme është një mjeke, prej më shumë se 3 dekadash. Është në moshën kur Berisha si mjek i panjohur, filloi karrierën politike me PD-në. Paradoksi i parë është që Berisha del dhe thotë se ‘Meremja u skualifikua sepse s’mund të lejojmë që gara të bëhet qesharake. Në fakt nuk është Meremja që e bën PD-në qesharake. Qesharake PD-në po e bën gara pa kandidatë, që nuk është garë. Që i thotë Celibashit ‘më jep disa kuti që të bëjmë votim të fshehtë’. Për kë votim të fshëhtë? Kush po garon? Kuti të fshehtë, ka marrë kuti borxh te Celibashi në KQZ. Kjo është komedia dhe paradoksi i garës në PD. Zonja Mereme është treguar shumë serioze në këtë proces. Le të merrte 40 vota Meremja në këtë proces. Vladimir Mulajn unë e njoh që në 1997, që qëndronte pranë PD-së, kur PD rrethohej me tanke”, tha Spahiu.





