Ylli i njohur i reality show-t amerikan “Storage Wars”, Darrell Sheets, është gjetur i vdekur në shtëpinë e tij në Lake Havasu City në moshën 67-vjeçare.
Sipas mediave ndërkombëtare, përfshirë People dhe Variety, Sheets u gjet i pajetë më 22 prill, pasi policia u thirr në banesën e tij pas raportimeve për një person të vdekur.
Autoritetet lokale kanë bërë të ditur se dyshohet që vdekja të ketë ardhur si pasojë e një plagë të vetëshkaktuar me armë zjarri, megjithatë hetimet mbeten ende në vijim.
Departamenti i Policisë në Lake Havasu City konfirmoi se Sheets u shpall i vdekur në vendngjarje, ndërsa trupi i tij është dërguar në Zyrën e Mjekut Ligjor të Qarkut Mohave për ekzaminime të mëtejshme.
Sipas raportimeve, hetuesit po shqyrtojnë gjithashtu pretendime për bullizëm online ndaj tij, të cilat mund të kenë lidhje me rastin.
Darrell Sheets u bë i njohur për publikun si një nga figurat kryesore të “Storage Wars”, një reality show që transmetohet në rrjetin A&E që nga viti 2010, ku ai u shfaq në mbi 160 episode.
Pas tërheqjes nga televizioni në vitin 2023, ai jetonte në Arizona, ku drejtonte një biznes antikesh dhe koleksionesh.
Vdekja e tij ka tronditur fansat dhe komunitetin e televizionit, ndërsa kolegët dhe rrjeti televiziv kanë shprehur ngushëllimet për familjen e tij.





