Pas zjarrit të rënë në pallatin te kompleksi Arlis në Tiranë, kryeinspektori Dashnor Sula ka njoftuar se ka ngritur një grup pune për verifikimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Përmes një njoftimi, bëhet e ditur se grupi i punës do të kontrollojë nëse aktivitetet ekonomike në ambientet e kompleksit kanë qenë në përputhje me kushtet teknike dhe ligjore, si dhe nëse sistemet e sigurisë kanë qenë funksionale.
Njoftimi:
Në lidhje me ngjarjen e zjarrit të rënë në një kompleks banimi në kryeqytet, Inspektorati i Përgjithshëm po ndjek me vëmendje situatën dhe me urdhër të Inspektorit të Përgjithshëm Z. Dashnor Sula është ngritur një grup pune për verifikimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Grupi i punës do të kontrollojë nëse aktivitetet ekonomike në ambientet e kompleksit kanë qenë në përputhje me kushtet teknike dhe ligjore, si dhe nëse sistemet e sigurisë (alarmet, pajisjet e shuarjes, sinjalistika dhe daljet e emergjencës) kanë qenë funksionale dhe të mirëmbajtura.
Inspektorati i Përgjithshëm do të bashkëpunojë ngushtë me institucionet përgjegjëse dhe do të ndermarrë të gjitha masat që parashikojnë ligjet perkatëse.





